Xavi Hernandez, mesfushori i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, ka theksuar se lojtarët e përfaqësueses iberike do të kërkojnë me çdo kusht mbrojtjen e titullit kampion në kampionatin e ardhshëm europian që do të zhvillohet gjatë verës në Poloni dhe Ukrainë.
“Shpresojmë që të fitojmë trofe të tjerë dhe të vazhdojmë të shkruajmë historinë. Mendojmë se kemi një mundësi të mirë me këtë brez futbollistësh. Duam të fitojmë Euro 2012 ose të paktën të arijmë deri në finale”, u shpreh Xavi në një intervistë për uefa.com.
Spanja, kampione në fuqi e Europës dhe Botës, kërkon të vazhdojë dominimin e saj me lojë dhe rezultate. Iberikët u klasifikuan për në fazën finale të Euro 2012 me tetë fitore në po kaq takime dhe zunë vendin e parë të grupit I.
“Të gjithë kanë vëmendjen tek ne dhe kemi presion, por ky lloj presioni bën mirë. Pas fitoreve në europian dhe botëror jemi të qetë me veten dhe jemi gati për sfidat e ardhshme”, deklaroi organizatori katalanas.
Top Channel