Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith ka paralajmëruar se
korrupsioni po dëmton çdo ditë e më shumë ekonominë e brishtë të
Kosovës.

“Ekonomia nuk do të zhvillohet sepse nuk do të ketë investime të huaja. Nëse një vend ka reputacion negativ, atëherë nuk mund të ketë investime”, ka thënë Feith në një prononcim për “Irish Times”.

Diplomati holandez, i cili ndodhet prej shumë vitesh në Kosovë, thotë se problemi qëndron tek normat dhe vlerat tek të cilat kosovarët ndihen të ngjitur.

“Kjo vjen nga vite të tëra shtypje, diskriminimi dhe dhune që kosovarët kanë kaluar. Njerëzit nuk janë mësuar të pranojnë se ka ligje dhe rregulla që duhen respektuar, pasi ndryshe shoqëria nuk funksionon si duhet”, ka pohuar Feith.

“Por kjo nuk është unike për Kosovën. Këtë fenomen e gjen kudo në Ballkan dhe më gjerë. Është një fenomen që do të kërkojë shumë kohë për t’u çrrënjosur plotësisht”, ka shtuar shefi i ICO-së.

Pak ditë më parë në Kosovë u arrestua shefi i Task Forcës anti-korrupsion, Nazmi Mustafi, ngjarje që nxiti reagimin e kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashi, qeverisë dhe shoqërisë civile.

Ndërsa misioni evropian për rendin dhe ligjin, EULEX, njoftoi se aktualisht është duke hetuar mbi 90 çështje të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA