“Shqip”, turizmi si mundësia jonë e vetme

09/04/2012 00:00

Turizmi është sektori që qeveria po i mëshon më së shumti, duke zhvendosur vëmendjen në këtë sektor, të paktën mediatikisht. Por si është situata në terren? Çfarë thonë “qeveritë lokale”, ato që janë më afër operatorëve, problematikës që hasin destinacionet turistike kryesore në vend dhe çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të thithur sa më shumë turistë?

Edhe pak ditë na ndajnë nga ajo që quhet çelja zyrtare e sezonit turistik dhe paneli i emisionit “Shqip” në Top Channel iu kushtua tërësisht turizmit “si mundësia jonë e vetme”.

I ftuar në panel, Enver Mehmeti nga ATA vlerësoi se turizmi në Shqipëri po del si mundësia e vetme, zgjedhja dhe zgjidhja e vetme për ekonominë shqiptare dhe këtë, sipas tij, e vërteton realiteti se sa ndikon ky sektor në ekonominë shqiptare.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se bashkia, për aq sa i takon, ka marrë të gjithë masat e nevojshme për të qenë e përgatitur për sezonin turistik. Por zoti Dako denoncoi atë që ai e quajti, bllokim me keqdashje të fondeve për manaxhimin e turizmit nga këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

“Jemi tamam në kohë që të kemi një sezon të suksesshëm. Kemi nevojë për mbështetje financiare nga qeveria për një strategji afatgjatë për turizmin. Qeveria të mos pengojë mundësinë për të manaxhuar fondet që kërkojnë shumicën e cilësuar të Këshillit Bashkiak. Këtë ia kërkojmë Partisë Demokratike”, deklaroi zoti Dako.

Ndryshe paraqitet situata në Shëngjin, të paktën siç pohoi në studio kreu i komunës së Shëngjin, Salvador Kaçaj. Kaçaj foli për një bashkëpunim të mirë me qeverinë që kanë sjellë investime të rëndësishme në Shëngjin në mbështetje të një projekti afatgjatë për turizmin.

Një ndër destinacionet me të preferuara të turistëve është edhe Saranda, perla e Jonit shqiptar. Në lidhje telefonike me “Shqip” kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa tha se institucioni që ai drejton është drejt përgatitjeve të fundit për sezonin turistik, sezon nga i cili kanë një pritshmëri më të mirë se sa vjet, kjo për një sërë faktorësh. Por kryebashkiaku Çipa u ndal tek fondet dhe investimet e marra nga pushteti qendror, që sipas tij lënë për të dëshiruar.

Kushtuar turizmit, “Shqip” solli intervista me udhëheqës të ITB Berlin, panairi kryesor global në fushën e turizmit.

Gerd Otto Rieke nga ITB

Ç’domethënie ka turizmi për Shqipërinë?

Turizmi ka domethënie të madhe për shumë vende dhe është konsideruar si një element thelbësor për qëndrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Kjo fushë ka shumë aspekte, dhe mund të gjykoni vetë se si e ndikon Shqipërinë. Turizmi lufton papunësinë, sidomos në kushte afatgjata, e sidomos për të rinjtë, sidomos për gratë. Është një aspekt i mirë për shoqërinë, që të bashkohet. Krijon punë jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në fshatra të largët, në zonë të thella ku zakonisht zhvillimi s’është shumë i reklamuar, si në zonat bregdetare, të cilat janë shumë të prekura. Është një element shumë demokratik për ndërtimin e një shoqërie dhe të ekonomisë dhe gjithashtu ndihmon me integrimin shtresën e varfër të shoqërisë ose që nuk kanë shumë dhunti. Ndihmon me integrimin e disa grupesh problemesh për shoqërinë. Sigurisht që nevojitet trajnim.

Ç’duhet të bëjë Shqipëria, për të fituar turizëm të mirë?

Shqipëria ka një listë të gjatë gjërash për të bërë dhe jam i sigurt që kjo dihet gjerësisht. Them se janë tri detyra kryesore. Njëra është ndërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës, rrugët, sistemi i komunikimit, sistemi i tubacioneve, që të mos shkatërrohet natyra dhe shumë gjëra të tjera në këtë aspekt. E dyta është ndërgjegjësimi i arenës botërore për Shqipërinë. Shumë shqiptarë s’e dinë që për shkak të kohës së gjatë të izolimit, Shqipëria s’është në hartën mendore të industrisë së turizmit dhe të konsumatorëve. Është e rrethuar nga vende me turizëm të fortë në jug e në veri, dhe këta janë konkurentë. Shqipëria duhet të mendojë mënyra për të pasur sukses në këtë atmosferë konkurruese, dhe mendoj se për këtë duhet të të mendojë për vlerat origjinale, si mikpritja dhe natyra. Këto janë pikë të forta. Por nuk duhet menduar se të gjithë e dinë se ç’ka për të ofruar Shqipëria dhe se ku është në hartë. E treta që sugjeroj, është përmirësimi i krahut të punës. Është e lehtë të ndërtosh hotele të mëdha, sepse investuesit e kushdo mund të hedhë çimento e të ngrejë ndërtesa me 10 a 20 kate, me mjedise të brendshme për pesë yje e gjithçka. Kjo s’është e rëndësishme. Rëndësi ka shërbimi. Njerëzve u lënë mbresa njerëzit e tjerë, dhe mënyra se si trajtohen nga ata që i mirëpresin, nëse i presin me mirësjellje dhe me profesionalizëm. Çdo konsumator, çdo njeri, ka pritshmëri ndryshe. Një gjerman mund të ketë pritshmëri ndryshe nga një francez ose nga një italian. Duhen njohur tregjet. Është shumë e rëndësishme të trajnohen të rinjtë, por edhe të moshuarit, në të gjitha aspektet e shërbimeve në restorante, hotele e në industrinë e transportit, në mënyrë që të jenë pritës profesionistë. Të gjitha këto bashkë janë vërtet rruga për në Europë.  

Çfarë gabimesh duhet të shmangë Shqipëria?

Këshilla më e rëndësishme është që Shqipëria të ketë durim. Kjo s’do të thotë të mos bëjë gjë, por të mos presë përfitime të menjëhershme. Shqipëria duhet të investojë dhe të mos gabojë e të tërheqë turizëm të lirë. Pasi të krijohet imazhi i një vendi të lirë, me operatorët që u thonë klientëve se mund të shkojnë në Shqipëri për pak para e të kënaqen, s’do ta hiqte dot më atë imazh. Ka shumë vende të tjera që e kanë bërë atë gabim, dhe nuk di se kur do të arrijnë ta ndryshojnë atë imazh.

Pra, ndërtoni një të ardhme të sigurt, të bazuar në shërbim të mirë dhe në njerëz të mirë. Kjo i bën një të mirë shumë të madhe brezit të ri. U jep orientim dhe trajnim. Është e ardhmja e fëmijëve tuaj, ndaj mos e nënvlerësoni rëndësinë. Nëse e bëni dhe keni sukses, brezi i ri do të qëndrojë në vend dhe nuk do të emigrojë jashtë. Në vend që të shohin barin më të gjelbër te shtëpia e fqinjit, siç thotë shprehja, do të shohin të mirën e vendit të tyre. Dhe këtu ka shumë të mira. Shqipëria ka një natyrë fantastike, plazhe, brigje shkëmbore, ku mund të mendohet për sporte ujore. Ka edhe male të mrekullueshme, një arkë e vërtetë thesari që duhet hapur. Mos bëni gabim ta shkatërroni. Shqipëria është vend i vogël, dhe mos e prishni këtë thesar që keni. Mos toleroni nëse politikanët dhe investuesit bëjnë gjëra që një njeri i ndërgjegjshëm s’do t’i gjykonte si të rinovueshme. Mendoni për të nesërmen, për brezin e ardhshëm. Mendoni për natyrën e brezin e ardhshë, dhe Shqipëria do të ketë një të ardhme të shkëlqyer.

Shqipëria si destinacion turizmi

David Ruetz kreu i ITB-së

Është e mundur për vendin tuaj të bukur, të tërheqë turizëm nga vendet e tjera të botës? A është e mundur të bëhet një vend vërtet tërheqës për udhëtarë në shkallë ndërkombëtare? Unë them që po. Shqipëria, të cilën e njoh nga përvoja,  pas vizitave në vendin tuaj, ka një potencial shumë të madh. Është një vend shumë tërheqës. Sfida e madhe për Shqipërinë është se si të përfitojë nga këto potenciale. Si ta përdorë këtë potencial. Unë besoj se nëse arrin t’i bësh detyrat siç duhet, nëse nxjerr përfundimet e duhura nga ajo që kanë bërë me sukses vendet fqinje, do të keni sukses edhe ju.

Ajo që kam parë në dekadën e shkuar, si përgjegjësi për ITB, agjencinë kryesore në botë për turizmin, është se ju nevojiten faktorë suksesi për të pasur arritje.  Dy faktorë suksesi për ta bërë turizmin nëj sukses edhe në vendin tuaj, është që duhet të hartoni një strukturë pune. Është detyrë e qeverisë të vendosë një strukturë të duhur pune, e cila është siguri e investimeve, qëndrueshmëri e kushteve në të cilat bëhen udhëtimet, dhe në anën tjetër, është edhe entuziazmi sipërmarrës. Duhet talent e entuziazëm sipërmarrës. Kur këto gjëra bashkohen, turizmi do të ketë sukses, do të krijohet një produkt i mirë që do të jetë tërheqës për industrinë e turizmit nëpër botë.

Nga perspektiva ime, Shqipëria ka një potencial të madh. “Destinactioni Shqipëria” është diçka ku ngrohtësia e njerëzve mund të kombinohet me gjtihçka që gjendet në turizëm. Por gjithashtu, kam besim që kjo duhet të bëhet në Shqipëri, nga shqiptarët. Asnjë s’mund ta marrë përsipër këtë detyrë nga jashtë, sepse vetëm ashtu do të ishte një përvojë origjinale turizmi, kur shqiptarët të marrin përsipër detyrën që ta shndërrojnë turizmin në vendin e tyre. Kjo është detyra e tyre, ose si të thuash, detyrim i tyre.

Kjo do të thotë që për të ndërmarrë këtë detyrë, ata duhet të organizohen në shoqëri, duhet të bashkëpunojnë, dhe kryesorja është që sektori privat të bashkëpunojë me politikën për të përmirësuar në mënyrë më cilësore transportin,  arsimin, infrastrukturën… gjithçka mund ta bëjnë më mirë. Është një formë organizimi që nevojitet, platformat ku mund të bashkëpunoni.  Përndryshe s’do të funksionojë.

Në të gjithë botën, pas studimeve të fundit, është zbuluar se 220 milionë vende pune janë në varësi të turizmit. Në Shqipëri, që tani ka shumë njerëz që po kontribuojnë në turizëm e po nxjerrin përfitime prej tij. Për t’u bërë një vend konkurrues, Destinacioni Shqipëria mund të kombinojë atë që shqiptarët e kanë që tani, mikpritjen e tyre, mirësjelljen me miqtë, të qenit miqësorë e gatishmëria për të ndihmuar, të konbinuara me më shumë arsim e aftësi teknike apo në gjuhë të huaja. Kam një mik që punon në hotele, motoja e të cilit është “Përgjigja është ‘po’. Cila është pyetja?”. Jam i sigurt që nëse e kombinon këtë me aftësinë e natyrshme për t’i dhënë një mikpritje të ngrohtë njerëzve, do të ndihmonte shumë.

Një filozof gjerman ka thënë që s’ka të ardhme pa të shkuar, dhe as të shkuar pa të ardhme. Në këtë kuptim, mua më duket shumë e rëndësishme që turizmi t’i kthejë sytë nga brezat e rinj. Kjo do të thotë investime në arsimin e brezave të rinj, por gjithashtu dhe që më të moshuarit, ata me më shumë përvojë, duhet të bashkohen me të rinjtë, të kombinojnë përvojën e tyre me freskinë e të rinjve, dhe të bëjnë përpara bashkë. Brezi i ardhshëm do të përfitonte shumë nga përvoja e tyre dhe nga energjia e freskët që kanë kombinuar. Këshilla ime është t’i përdorni burimet që keni në Shqipëri, sidomos me fëmijët që po rriten, dhe bashkë me ata njerëz që kanë përvojë ndërkombëtare në turizëm. Kështu do t’i shihni frytet e punës suaj në një dekadë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA