
Një ditë pas akuzave të PDIU-së ndaj Ministrit Edmond Haxhinasto, vjen edhe reagimi i Ministrisë së Jashtme.
Zedhenesja tha se fjala e Ministrit në lidhje me Çamërinë është keqinterpretuar. Në deklarate thuhet se Ministria ka kërkuar që për personat që në dokumentat e identifkimit kanë vendlindjen Çameri, të realizohet një marrëveshje me palën greke me qëllim që ata të mos ndalohen në kufi dhe të kenë të drejtën të lëvizin lirshëm.
“Ministria e Punëve të Jashtme, me evidentimin e ketij problemi, ka marrë kontakte të menjëhershme me ambasadën greke në Tiranë, ka protestuar, dhe ka kërkuar shpjegime se pse qytetarët shqiptarë ndalohen në kufirin grek.Nga ambasada greke është dhënë sqarimi që toponimet zyrtare të Greqise, të depozituar nga ana e saj në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare, nuk e përfshijnë këtë term.MPJ ka kërkuar që për këtë kategori personash të realizohet një marrëveshje me palën greke me qëllim që ata të mos ndalohen në kufi dhe të kenë të drejtën të lëvizin lirshëm në territorin e Republikes Greke.MPJ shpreh keqardhjen për çdo përpjekje, manipulim apo politizim të kësaj çështje për qëllime të pastra populiste”, u shpreh zëdhënsja e Ministrisë, Eva Kushova.
PDIU “rebelohet” ndaj Haxhinastos
Një deklaratë i ministrit të Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto se, termi “Çamëri” nuk ekziston, ka provokuar një reagim therrës nga ana e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që mbron interesat e komunitetit çam.
Ministri Haxhinasto, që është edhe zëvendëskryetar i LSI-së, e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për emisionin “Debat” të Alfred Pezës.
Në reagimin e shpërndarë me e-mail, PDIU ndalet në një shpjegim të hollësishëm të toponimisë, duke sqaruar se termi “Çamëri” vjen nga lumi që në antikitet quhej Thiamis. Po ashtu, termi “Çamëri”, sqaron PDIU, ka qenë term zyrtar i shtetit grek deri në vitet ’40.
“Termi “Çamëri” është zëvendësuar pjesërisht me termin “Thesproti” vetëm si term i një nëndarjeje administrative dhe jo si toponim gjeografik”, thotë PDIU në deklaratën e vet.
Duke përmendur rastet e shqiptarëve që janë ndaluar të hyjnë në Greqi për shkak të vendlindjes së tyre të shkruar në pasaportë, PDIU sqaron se në pasaportat e tyre është shkruar vetëm qyteti apo fshati i lindjes, si Paramithi, Gumenicë, Pargë, Margëlliç, Filat, etj.
Top Channel