Bert van Maarwijk, trajneri i përfaqësueses hollandeze të futbollit, i ka bërë të ditur sulmuesit Ruud van Nistelrooy që nuk do e grumbullojë për kampionatin europian që do të zhvillohet këtë verë në Ukrainë dhe Poloni.
“Kam folur në telefon me Van Nistelrooy dhe i kam thënë që nuk do të jetë pjesë e ekipit për Euro 2012. Doja që lajmin t’ia jepja personalisht”, deklaroi tekniku hollandez për gazetën “Algemeen Dagblad”.
Nga ana e tij, sulmuesi i Malagës e ka marrë me sportivitet vendimin dhe është shprehur për mediat spanjolle se trajneri i Hollandës veproi siç duhet duke i dhënë personalisht njoftimin.
Në këtë mënyrë ish-sulmuesi i PSV Eindhoven, Manchester United dhe Real Madrid humb mundësinë e fundit për të marrë pjesë në një turne të madh me kombëtaren e vendit të tij.
Muajin e kaluar Van Nistelrooy ishte shprehur se po mendonte tërheqjen nga futbolli pas përfundimit të këtij sezoni.
“Nuk e di nëse do të vazhdoj të luaj me Malagën apo do të tërhiqem nga futbolli. Mundësitë janë 50 me 50. Në prill do vendos se çfarë do të bëj me karrierën time”, pati deklaruar qendërsulmuesi për mediat spanjolle.
Top Channel