Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, shprehu besimin absolut në integralitetin moral të trajnerit Antonio Conte, ndonëse emri i tij doli në hetimet e skandalit të basteve që po zhvillon prokuroria e Kremonës dhe Barit.
Sipas disa provave të reja, Conte dyshohet se ishte në dijeni të mafias së basteve që e kishte kontaktuar dhe mbi të rëndon fakti që nuk e raportoi këtë rrjet tek drejtësia.
Në prezantimin e një kontrate sponsorizuese me kompaninë e makinave “Jeep”, presidenti Agnelli deklaroi: “Më lejoni të ndaj me ju një reflektim nga aktualiteti, në lidhje me hetimet e prokurorisë. E dimë që duhet të presim për të parë rezultatet e magjistaturës dhe bota e futbollit duhet të nxjerrë përfundimet e saj. Bastet janë një plagë e sportit modern dhe fakti që disa prej të arrestuarve ishin tifozë të abonuar të Juventusit na bën të jemi edhe më vigjilentë”.
Duke u ndalur tek përgjegjësitë e trajnerit, presidenti i bardhezinjve shtoi: “E njoh Conten prej 20 vitesh dhe ndonëse është e vërtetë që ka disa difekte, ai ka edhe disa vlera të tjera të patjetërsueshme, besnikërinë dhe integralitin moral. Ai vazhdon të ketë të gjithë besimin e klubit”.
Deklarata e presidentit juventin u bë në ceremoninë në të cilën u lidh një marrëveshje 3-vjeçare sponsorizimi me kompaninë prodhuese të automobilave, “Jeep”, emri i të cilës do të vendoset në fanelat e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Nga kjo marrëveshje, klubi do të përfitojë një total prej 35 milionë eurosh, thuajse 12 milionë në vit.
Top Channel