Ambulanca, policia dhe zjarrëfikset janë shërbimet emrergjente që gjenden kurdoherë pranë. Por si mund të kontaktohen në raste nevoje?
Lavdie Vasku është diplomuar për kanto, por prej 8 vitesh punon në sallën operacionale pranë shërbimit zjarrëfikës: “Kjo është salla operacionale në shërbimin e zjarrfikëseve, në rast të një zjarri niset stacioni më i afërt. 128 është numri ynë.”
Mes vështirësive të punës, Lavdija tregon se janë të shumtë personat që kryejnë telefonata të rreme.
“Gjatë punës kemi shumë raste që marrin gabim, ndodh shumë shpesh. Ka pasur një rast që na morën në telefon për një mace që kishte hipur në pemë dhe ne ikëm për të zbritur macen. Ka raste që dikujt i është prishur rubineta dhe merr në telefon zjarrfikësit”, shprehet Lavdija.
Janë të shumta rastet që një emergjencë zjarri raportohet fillimisht tek policia. Megjithatë Lavdija thotë se ndonjëherë kjo ndihmon punën e zjarrfikëseve.
“Kur marrin në telefon policinë në fakt edhe ne na ndihmojnë sepse policia e verifikon dhe ne nisemi menjëherë, plus që duke qenë policia në dijeni hap edhe rrugët nga trafiku”, thekson Lavdija.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kryekomisar Riza Merko mbledh informacionet që vijnë në sallën operative. Me një eksperiencë disavjeçare Merko tregon mënyrë se si koordinohet informacioni që vjen nga të gjitha policitë e rretheve, në mijëra telefonata.
“Këtu vijnë informacione nga dy numrat e policies: 129 policia e rendit dhe 126 Policia Rrugore. Vetëm këtë vit ka pasur mbi 28 mijë telefonata për gjera të ndryshme: dhunë në familje, prishje e rendit dhe qetësisë publike”, shprehet Merko.
As policia duket se nuk shpëton nga telefonatat anonime apo të rreme. Kryekomisari tregon se raste të tilla edhe pse të pakta ndonjëherë krijojnë probleme. Merko shpjegon se si evidentohen thirrjet për ndihmë apo denoncime të ndryshme.
“Të gjitha telefonatat që merren i shënohet ora, telefonuesi dhe shqetësimi. Dërgohen forcat në vendngjarje dhe verifikohet situate”, shpjegon Merko.
Duket se çdo gjë funksionon më së miri në sallat operative, por njerëzit janë jo pak konfuz rreth numrave që duhet të kontaktojnë në raste emergjence.
“Nuk i dimë numrat sepse nuk na ka ndodhur asnjëherë të kemi nevojë”, shprehen banorët e Tiranës.
Për të gjithë ata që në një moment mund të ndodhen në një situatë emergjente, numri i kontaktit policinë është 129 dhe 126, me shërbimin zjarrëfikës 128 dhe urgjenca shëndetësore 127.
Top Channel