Sulmuesi i Manchester City, Mario Balotelli, shpëtoi i palënduar nga aksidenti i radhës me makinën e tij luksoze, “Bentley”.
Siç raportuan mediat angleze mëngjesin e së premtes, futbollisti u përplas në një zonë të Mançesterit, të quajtur “Deansgate Locks”. Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera, duket se këtë radhë ishte 21-vjeçari viktimë e gabimit të një shoferi të dytë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, aksidenti u shkaktua nga një makinë “Ford” që realizoi një kthesë U në rrugë pa paralajmërim. Përkrah futbollistit, në momentin e përplasjes ishte edhe e dashuara e tij modele, Raffaella Ficco, e cila e pati shoqëruar në stërvitjen e mëngjesit.
Të dy u frikësuan dhe sipas dëshmitarëve pamorë Balotelli reagoi me nervozizëm fillimisht, por më pas u qetësua dhe nisi të bënte batuta me shoferin tjetër të përfshirë në përplasje.
”Pas aksidentit, Balotelli uli xhamin e makinës dhe nisi një konfront verbal me shoferin tjetër, por nuk besoj se dëshironte ndonjë konflikt, edhe sepse vajza që e shoqëronte në makinë ishte dukshëm e tronditur dhe e frikësuar”, deklaroi një burim.
”Edhe drejtuesi i mjetit të ardhshëm ishte i tronditur. Më pas erdhi një Range Rover me dy persona në bord, që dukeshin italianë dhe e njihnin lojtarin. Një ambulancë verifikoi gjendjen e vajzës dhe shoferit të dytë, ndërsa policia për konstatimin e dëmeve e mori deklaratat e të gjithëve, përpara se të gjithë të largoheshin”, shtoi dëshmitari okular.
Top Channel