Janë regjisorë, të cilët ndër dekada, në institucionet qendrore të artit në vend kanë dhënë kontribut të çmuar.
Për punën e një jete dhe revolucionin në fusha të ndryshme, Presidenti i Republikës i ka vlerësuar ata me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Janë regjisorët Vladimir Prifti, Albert Minga, Pali Kuke dhe Vera Grabocka që në një ceremoni mes familjarëve dhe miqve të një jete u nderuan nga Presidenti.
Regjisori Prifti nuk mund vetëm të gëzonte në këtë ditë, por edhe ngrinte një shqetësim, atë të një artisti për gjendjen e institucioneve artistike në vend.
“Institucionet ku kam punuar, në Televizionin Publik, apo në Kinostudio, apo në Teatrin Kombëtar, vazhdojmë t’i kemi po ato ndërtesa, vazhdojmë të kemi po atë gjendje dhe kjo gjithmonë më ka shqetësuar, si individ, si njeri, si dashamirës i artit. Jeta e mëpasme le të jetë edhe në interesa që ky art të shikohet më me dashuri, pra për sa i përket televizionit, filmit e teatrit”, tha Prifti.
“Unë do të shfrytëzoja rastin që siç e dinë të gjithë, profesioni i regjisorit është i tillë që puna e tij është e lidhur me shumë komponentë të tjerë, shumë të rëndësishëm, pa prezencën dhe pa kontributin e tyre nuk do të kishte asnjë vlerë. Kështu që përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, skenaristët, operatorët, kameramanët, grimiorët, të gjithë prapavijën e Radio Televizionit, dramaturgët, për kontributin e madh që kanë dhënë në ato arritje që unë kam pasur gjatë karrierës sime artistike”, u shpreh regjisori i njohur Albert Minga.
Regjisori Pali Kuke u ndal te artistët me të cilët ka bashkëpunuar, ata që bëjnë të dukshme krijimtarinë e tyre pas kameras apo pas kuintave.
“Do të respektoj atë plejadë të shkëlqyer aktorësh me të cilët pata fatin të punoj. Është kënaqësi e jashtëzakonshme të kujtoj besimin që ata patën, dashurinë që dhanë, emocionet dhe gjithë temperamentin dhe gjithë artin e tyre, pjesë e së cilës është sot çmimi im”, u shpreh regjisori Pali Kuke.
“Do të doja që për herë të parë në mënyrë publike të falënderoj njeriun tim shumë të veçantë, që më ka komplimentuar me qindra herë dhe unë nuk kam patur asnjëherë rast ta falënderoj në mënyrë publike. Është Timo Flloko, është bashkëshorti im, që më është gjendur gjithmonë afër. Sot nuk do isha kjo që jam në qoftë se ai nuk do të më kishte mbështetur tërë jetën time”, tha regjisorja Vera Grabocka.
Presidenti i vendit qe i fundit që mori fjalën në këtë ceremoni përtej të zakonshmes. Z. Bamir Topi vuri theksin në vlerat e jashtëzakonshme që kanë përcjellë këta personalite krijuese të vendit në atë që është sot arti shqiptar.
“Ne ju jemi mirënjohës, ju jemi mirënjohës për të gjithë këtë vepër që ju keni lënë dhe jam i bindur që me vitalitetin që keni, me moshën që keni, do të vazhdoni të jepni për publikun, jo vetëm për ata që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri, por në kushtet që jemi sot, më shumë do të thoja, për ata që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët kanë shumë nevojë që të jenë të lidhur me evenimentet kombëtare, me kulturën kombëtare, e ndiejnë të nevojshme, besoj që e kanë të domosdoshme për fëmijët e tyre, për brezat e rinj, që ndonëse janë larg Shqipërisë, besojnë në transmetimin genetik të nevojës për të qenë pjesë e kombit shqiptar”, u shpreh Topi.
Presidenti i vendit në përfundim të fjalës së tij theksoi se mosha e këtyre krijuesve do i lejojë ata të jenë sërish prezent në krijimtarinë artistike në vend, për të përcjellë të tjera. Po ashtu gjate dites presidenti dekoroi me urdherin ‘Mjeshter i Madh’ edhe balerinin e njohur Klejdi Kadiu
Top Channel