Është e rrallë të gjesh një familje në Shqipëri ku kryefamiljari është grek. 50-vjeçari Vangjel Tosunidhis pas martesës me shqiptaren Lindita ka zgjedhur periferinë e Tiranës për të jetuar.
Cifti shqiptaro-grek ka 11 vjet bashkëjetesë dhe nga ky bashkim dykombësh kanë ardhur në jetë 5 fëmijë.
“Unë njihja një shqiptar në Greqi kur punonim në ndërtim dhe ai ishte kushëri i parë i Linditës. Gjatë një vere ai më ftoi në Shqipëri për pushime dhe shkuam tek shtëpia e Linditës. Atëherë u njohëm”, tregon Vangjeli.
Në dekadën e fundit kanë ndryshuar shumë koncepte mes bashkëjetesës së kombeve në Ballkan e megjithatë Lindita e pati të vështirë të marrë aprovimin e njerëzve të saj.
“Më paragjykuan në fillim, por unë isha e vendosur”, thekson Lindita.
Por edhe ana tjetër e medaljes nuk do të ishte ndryshe. Greqia është një nga shtetet ku shqiptarët ndjejnë më së shumti peshën e paragjykimeve.
“Kur shkova në fillim në Greqi mu duk e vështirë, por më pas gjërat u normalizuan. Në fillim ishte problemi i gjuhës e më pas kisha frikë racizmin e grekëve, por kuptova që gjërat nuk ishin ashtu siç thonin njerëzit”, shton Lindita.
Në vitin e parë të martesës në Greqi lindi Maria e menjëherë më pas Vangjeli dhe Lindita vendosën të jetojnë në Shqipëri.
“Me shumicën e njerëzve kam pasur marrëdhënie të mira. Ka pasur edhe nga ata që nuk më kanë parë me sy të mirë, por me shumicën nuk kam pasur asnjë problem. Shqiptarët kanë respekt për mua”, thotë Vangjeli.
50-vjeçari nga Selaniku tregon se puna ishte arsyeja kryesore që erdhi në Shqipëri. Megjithë problemet dhe vështirësitë e jetesës në vend të huaj, ky qytetar grek ka ende motive të forta për të qëndruar larg vendlindjes.
“Edhe Greqia është në krizë dhe nuk e kam të garantuar punën nëse shkoj atje sërish”, përfundon Vangjeli.
Top Channel