Deputeti socialist Erjon Braçe ka publikuar fakte të reja, që sipas tij dëshmojnë për abuzimet e mëdha në koncesionet e naftës.

Këtë herë zoti Braçe thotë se në vitin 2008, Albpetrol ndryshoi marrëveshjen koncesionare të Patos Marinzës, për të lehtësuar kompaninë private, që shfrytëzon këtë vendburim nga pagesa e taksave.

“Janë ndryshuar disa nga nenet e marrëveshjes në vitin 2008. E para kur faktori R, pra të ardhurat, pjesëtuar për shpenzimet, është më i vogël se 1, qeveria i njeh si kosto kompanisë, të zbritshme 10 për qind të rentës minerarë dhe ajo që ka të bëjë më e keqja ka të bëjë me faktin se kur faktori R, raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve është i barabartë, apo më i madh se 1, kompanisë i njihet si shpenzim i zbritshëm 100 për qind e rentës minerare”, tha Braçe.

Në tetë vite kompanitë e naftës në Shqipëri nuk kanë paguar asnjë lekë tatim fitimi, pasi gjithmonë kanë deklaruar bilance me humbje. Me ndryshimin ligjor që ka bërë Albpetrol me bekimin e qeverisë krijohen kushte që edhe nëse kompanitë dalin me fitim sërish të mos paguajnë tatim mbi fitimin.

“Në momentin dhe tani jemi në vitin 2011-2012 e në vijim, kur faktori R është më i madh se sa 1 dhe jemi tamam në të tilla kushte, atëhere renta minerare do të njihet si shpenzim 100 për qind i zbritshëm, duke hyrë pikërisht në koston e shpenzimeve të kompanisë, duke i shtuar akoma edhe më shumë koston e shpenzimeve dhe duke bërë të pamundur pagimin e tatim fitimit. Mos harroni tatim fitimi është 50 për qind e fitimit”, tha Braçe.

Në vitin 2008, pasi nuk kishte arkëtuar asnjë lekë në buxhet nga kompanitë e huaja që shfrytëzonin pasuritë nëntokësore, qeveria vendosi një taksë të re, rentën minerare në masën 10 për qind të të ardhurave bruto. Por kjo taksë do njihet si shpenzim i zbritshëm për kompanitë e naftës, kur ato do fillojnë të paguajnë tatim mbi fitimin.

 

Top Channel