Fqinjët e Malit po marrin në konsideratë imponimin e një bllokade ekonomike, për të detyruar kështu liderat e grushtit të shtetit që të largohen dhe të rikthejnë në pushtet qeverinë e zgjedhur me votë.
Presioni mbi juntën është në rritje edhe brenda vendit, pasi rebelët pushtuan tërësisht krahinat veriore dhe kaosi i krijuar në Mali po kërcënon shtetin e Afrikës Qëndore që të copëtohet.
Një ultimatum i dhënë nga një grup i 15 shteteve të Afrikës Perëndimore skadoi ditën e hënë dhe tashmë pritet vetëm shpallja e sanksioneve ekonomike.
Sipas ushtrisë, ata vendosën të rrëzonin qeverinë sepse ajo ishte e paaftë të drejtonte luftën kunder rebelëve seperatistë tuaregë, të cilët duke përfituar nga situata, kanë pushtuar edhe qytetet e fundit që mbeteshin nën kontrollin e Bamakos në veri.
I vetmi lajm i mirë për Malin është se tuaregët, pas pushtimit të Timbuktusë, lajmëruan se nuk kanë ndërmend të përparojnë në jug dhe se do të përpiqen të konsolidojnë pushtetin e tyre në zonat e zotëruara.
Ish-shteti kolonizues i Malit, Franca, bëri të ditur se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në këtë konflikt ndërsa nëpërmjet një deklarate zyrtare, i bëri thirrje shtetasve të saj, rreth 5 mijë në total, që të largohen menjëherë nga vendi afrikan. Belgjika dhe Britania kanë lëshuar thirrje të ngjashme për qytetarët e tyre.
Top Channel