Durrës, ujërat e zeza në det

31/03/2012 20:00

Ujërat e zeza nuk do t’i ndahen plazhit të Durrësit as në këtë sezon veror. Vetëm në vjeshtën e këtij viti e në vazhdim Gjiri i Durrësit premtohet se do shpëtojë nga ndotja.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi inspektoi punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza në këtë zonë. Olldashi ishte në zonën e Malit të Robit.

“Ky këtu është stacioni i fundit i pompimit, i një projekti shumë të rëndësishëm që nis në Përroin e Agait dhe që përfundon në impiantin e pastrimit të ujërave të zeza në Kavajë. Praktikisht ky është projekti i kanalizimeve të ujërave të zeza të zonës turistike nga Përroi i Agait deri tek impianti i pastrimit të ujërave të zeza. Me këtë ne zgjidhim një problem madhor të trashëguar prej vitesh, e njëjta gjë po bëhet edhe me Durrësin, nga Përroi i Agait deri në zonën e Urës së Dajlanit. Pjesa që i takon plazhit. Qyteti po lidhet, plazhi përfundon lidhjet në vjeshtë. Në vjeshtën e këtij viti, Gjiri i Durrësit nuk do të ketë më derdhje të ujërave të zeza në det”, tha Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Në fund të muajit prill pritet të përfundojë ngritja e stacioneve të pompimit nga Përroi i Agait deri te Mali i Robit, ndërkohë që ka përfunduar prej javësh tenderimi për shtrirjen e tubacionit dytësor, financim i qeverisë shqiptare, që do të mundësojë lidhjen me rrjetin kryesor të godinave dhe lokaleve të shumta të shërbimit të ndërtuara në bregdet gjatë 20 viteve të fundit.

Ndotja masive në këtë zonë ka cuar në prag falimentimi me mijëra biznese të cilët vitet e fundit kanë ndjerë rënien e fluksit të turistëve të cilët janë larguar për shkak se vetë hotelet dhe bizneset e zonës shkarkojnë në det ujërat e zeza duke bërë që kjo zonë të jetë shumë e ndotur dhe e rrezikshme për shëndetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA