5+1 dhe Irani, bisedimet në Stamboll

31/03/2012 21:00

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton njoftoi se raundi i radhës i bisedimeve i 5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Britania e Madhe, Francë dhe Gjermani) me Iranin për programin e tij bërthamor do të mbahen në datat 13 dhe 14 prill në Stamboll.

Nga Riadi në Arabinë Saudite ku ndodhet për një vizitë, Clinton tha se Perëndimi pret një reagim pozitiv të Teheranit për programin e tij bërthamor, për ndaljen e projektit për ndërtimin e bombës bërthamore, pavarësisht se Irani vetë mohon të tilla akuza duke deklaruar se programi i tij bërthamor ka synime paqësore.

Por paralelisht me bisedimet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë sanksione të tjera për të detyruar Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Burime nga Shtëpia e Bardhë, citon BBC, thonë se këtë herë sanksionet do të bien fort mbi të gjithë klientët blerës të naftës iraniane.

Uashingtoni i druhej pasojave që mund të sillte në tregjet ndërkombëtare bojkotimi i naftës iraniane, por pas studimeve të tregjeve, Shtëpia e Bardhë ka rënë dakort për sanksione të reja ndaj naftës iraniane.

“Ka mjaftueshëm naftë në tregjet globale saqë pasojat e bojkotit të naftës iraniane nuk do të ndjeheshin  as nga Shtetet e Bashkuara dhe as nga Aleatët”, citohet presidenti Obama nga BBC.

Sanksionet e reja prekin kryesisht bankat aziatike të lidhura ngushtë me transfertat e parave drejt Teheranit për naftën e tij, para që derdhen nga blerës të fuqishëm, pjesa më e madhe, po aziatikë.

Nëse do të miratohen, sanksionet  do t’i mbivendosen atyre ekzistuese në fushën ekonomike ndaj Iranit, sic janë sanksionet ndaj Bankës Qendrore Iraniane dhe ndaj zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA