Spanjë, protesta të reja ndaj buxhetit

30/03/2012 13:55

Qeveria spanjolle pritet të shpallë të premten buxhetin me masat më të forta të kursimit në historinë moderne të Spanjës, ndërsa protestat popullore vazhdojnë për të dytën ditë radhazi.

Kryeministri Mariano Rajoy ka paralajmëruar popullatën se shkurtimet do të jenë ndër më të ashprat e njohura ndonjëherë.

Ditën e enjte, policia spanjole u përball me protestues të dhunshëm, gjatë një greve të përgjithshme të shpallur nga sindikatat në vend kundër reformave që do të thellojnë edhe më shumë plagën e papunësisë.

Edhe më shqetësues janë zërat se pavarësisht masave të ashpra, Spanja nuk do të mund të shmangë dot nevojën për një kredi madhore, për të rivendosur në binarët e duhur ekonominë e saj.

Aktualisht, vendi përballet me normën e papunësisë më të lartë brenda vendeve që përdorin monedhën e përbashkë euro, me 24% të forcës së aftë për punë dhe që po e kërkon një të tillë që nuk është e aftë ta gjejë.

Gjithashtu të enjten, Ministrat e Financave të Eurozonës u takuan në Kopenhagen dhe miratuan rritjen e fondit të shpëtimit, që do të garantojë çdo shtet që mund të preket nga kriza e euros në të ardhmen.

Siç u vendos, fondi rezervë do të jetë prej 800 miliardë eurosh, që do të financohen nga buxhetet kombëtare të vendeve të BE-së, FMN dhe investitorë të tjerë.

Ndonëse ishte kërkuar që fondi i shpëtimit të caktohej në një trilion euro, fiksimi i tij në 800 miliardë përbën gjithsesi një rritje të ndjeshme nga rezerva pre 500 miliardë dhe u ofron garanci të mëtejshme biznesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA