Izraeli ka shtrënguar masat e sigurisë në kufirin e tij shtetëror dhe atë me Palestinën, pas një serie të paralajmëruar protestash nga popullsia arabe.
Të premten, muslimanët në Izrael, në Bregun Perëndimor dhe Gaza kujtojnë atë që quhet Dita e Tokës, e cila nderon gjashtë arabë të vrarë në vitin 1976, në protestë kundër zaptimit të tokës së tyre nga ushtria izraelite.
Tel Avivi ka shprehur shqetësim se nga kampet e refugjatëve palestinezë në Liban, Jordani dhe Siri mund të ketë elementë që do të përpiqen të kalojnë kufirin në tentativë për të destabilizuar vendin.
Disa persona mbetën të vrarë një vit më parë në Ditën e Tokës, në përleshje me trupat izraelite.
Palestinezët e kanë shndërruar 30 marsin në një ditë proteste kundër përzënies nga tokat e tyre, kur prej disa dekadash vezhdon procesi i kolonizimit hebre.
Izraeli zgjeroi pothuajse dyfish territorin e tij të vitit 1948, pas një serie luftërash të fituara ndaj vendeve fqinje deri në 1967-n. Si rrjedhojë e zaptimit të territoreve të reja me shumicë dërrmuese muslimane, autoritetet hebrehe prej më shumë se katër dekadash tentojnë të realizojnë një spastrim paqësor etnik, nëpërmjet vendosjes së sa më shumë izraelitëve në këto territore.
Kjo politikë kolonizuese është denoncuar prej kohësh edhe në OKB, ndonëse Palestina nuk ka një zë në të. Aktualisht, Palestina njihet nga 80 shtete në botë, përfshi dy superfuqitë me të drejtë vetoje, Rusia dhe Kina, por jo nga tre të tjerat, SHBA, Franca dhe Britania.
Top Channel