Policia greke po vazhdon operacionin “Athina e Pastër”, për kthimin e normalitetit në qendërn e kryeqytetit, ku ditën e djeshme u verifikuan një sërë trazirash.
Gjatë kontrolleve të policisë, një emigrant me një kafshim i këputi gishtin një agjenti. Ky i fundit u dërgua në spital, ndërsa emigranti është arrestuar.
Sipas mediave greke, në rajonin e Atikës janë kryer deri më tani mbi 500 arrestime. Ministri për Mbrojtjen e Qytetarit, Michalis Chrisochoidis ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë.
Operacionet kryhen në një kohë kur lideri konservator grek Andonis Samaras ka paralajmëruar shfuqizimin e ligjit për nënshtetësinë e emigrantëve, edhe kur bëhet fjalë për fëmijë që lindin në Greqi.
Kryeqyteti grek por edhe qytete të tjera të shtetit helen kanë regjistruar një rritje të frikshme të pranisë së emigrantëve, që vijnë kryesisht nga Azia dhe Afrika.
Ndërkohë, në shumë zona periferike të Athinës banorët po protestojnë kundër një plani të qeverisë për ndërtimin e 30 qendrave të rehabilitimit ku do të çohen gjithë emigrantët ilegalë që do të arrestohen në këto operacione.
Top Channel