Nëntë policë u vranë pasi një koleg i tyre hapi zjarr në mënyrë të paparalajmëruar në krahinën lindor të Paktikës, në Afganistan.
Lajmin e raportuan burime policore. Vrasësi, pjesë e një toge të caktuar në një postë të vogël kontrolli, qëlloi mbi shokët e tij ndërsa ata ishin duke fjetur.
Midis viktimave është edhe komandanti i togës dhe dy djemtë e tij. Pas sulmit, ai rrëmbeu një makinë policie dhe u arratis në drejtim të paditur.
Ndonëse ende motivet e kësaj ngjarje të shëmtuar janë të panjohura, policia beson se bëhet fjalë për një goditje të talebanëve, që kanë shndërruar infiltrimin në radhët e policisë në një taktikë të preferuar.
Disa sulme të ngjashme ndaj forcave të NATO-s kanë detyruar që të merren masa shtesë, për të parandaluar goditje të reja të reja ndaj koalicionit. Së fundmi, midis taktikave parandaluese u shndërrua edhe ajo e caktimit të patrullave gjatë natës, për të shmangur sulmet kur trupat janë në gjumë.
Më parë gjatë shkurtit, në një incident të ngjashëm, pasi një militant i infiltruar në radhët e policsë hapi zjarr, gjeti vdekjen kapiteni shqiptar Feti Vogli dhe u plagos rreshteri i këmbësorisë, Aleksandër Peçi, pjesë e kontigjentit tonë të paqes në Afganistan.
Top Channel