Parlamenti Europian votoi në seancë plenare në Bruksel, përveç Kosovës, edhe rezolutat për Serbinë, Malin e Zi dhe Turqinë.
Liria e medias ishte në zemër të rezolutës për Turqinë. Në seancë plenare në Parlamentin Europian debatet nisën me përshëndetjen ndaj gazetarit turk Ahmet Sik.
“Është një nder i madh për ne të mirëpresim në podiumin e kësaj shtëpie zotin Ahmet Sik, gazetar turk i cili është mbajtur në burg për mëse një vit. Mirëpresim faktin që është liruar pasi jemi angazhuar shumë për një gjë të tillë”, deklaroi Martin Schulz, President i Parlamentit Europian.
Për Serbinë, ndër të tjera rezoluta e Parlamentit Europian kërkon që vendi të mos i zhvillojë zgjedhjet lokale në Veriun e Kosovës. PE shpreh shqetësim për diskriminimin e minoriteteve dhe kërkon mbrojtjen e të gjitha minoriteteve dhe të drejtave themelore në vend.
Për Malin e Zi, europarlamentarët mirëpresin progresin e vendit dhe qëllimin e Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim në qershor. Por rezoluta nënvizon nevojën për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe bën thirrje për më shumë barazi për rritjen e përfaqësimit të grave në parlament si dhe për barazinë e rrogave ndaj tyre.
Pas votimit, disa javë më parë, të rezolutave për Islandën, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, Shqipëria mbetet i vetmi vend aspirant për të cilin nuk ka ende një rezolutë të Parlamentit Europian, që prej dy vitesh.
Top Channel