Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Eulexit, tenton të kontaktojë institucionet e Serbisë për të mësuar fatin e dy shtetasve të vet të arrestuar të mërkurën në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Këshilltari politik në Ministrinë e Brendshme tha se janë në pritje të një reagimi nga Brukseli, pasi Serbia me këtë veprim shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë të arritur në Bruksel.
Ai i vlerësoi këto arrestime të motivuara politikisht, por të pakrahasueshme me ato që politika e Kosovës bëri ndaj zyrtarëve serb të cilët po vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.
”Arrestimi i së mërkurës i dy shtetasve të Republikës së Kosovës bie ndesh me marrëveshjet e nënshkruara më parë midis dy shteteve. Ne besojmë që ka qenë krejtësisht një veprim politik. Gjithashtu presim reagimin e Brukselit zyrtar, pasi ata janë në fund të fundit edhe garantues të zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Ne jemi të gatshëm që përpara Bashkimit Europian të paraqesim të gjitha faktet për arrestimet e realizuara nga policia e Kosovës dhe kërkojmë që nëse policia e Serbisë ka fakte që inkriminojnë shtetasit tanë, edhe ajo t’i paraqesë ato”, deklaroi këshilltari politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi.
Prej vitesh, qeveria kosovare ka kërkuar nga Interpoli shfuqizimin e fletarresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia. Por, shtetet anëtare deri më tani i kanë zbatuar ato në mënyrë selektive.
Gjithsesi, arrestimeve të mundshme u ekspozohen shumë ish-ushtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe deputetë e Ministra aktualë si Fatmir Limaj, Agim Çeku etj.
”Ne vazhdimisht po komunikojmë, edhe nëpërmjet EULEX-it, edhe me vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, për të hedhur poshtë këto pretendime të Serbisë, pasi bien ndesh me normat dhe rregulloren e brendshme të Interpolit, duke qenë se janë fletarreste politike”, deklaroi Rexhepi.
”Më e ashpër për këtë situatë tregohet lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se kjo tregon se asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi në raport me shqiptarët që nga koha e Milosheviçit. Konjufca kritikon Brukselin për mos reagim dhe Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij nuk po mund t’i mbrojë qytetarët e saj.
”Kemi një kryeministë, i cili përpara disa ditësh përmendi Mollën e Kuqe, është një vend i quajtur kështu në hapësirën e quajtur Toplicë, ku janë përjashtuar me mijëra familje nga qindra fshatëra shqiptarë, pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877-78. Dhe ai e përmendi atë vend me patriotizëm, por nuk është në gjendje që të mbrojë qytetarët e tij as në Dheun e Bardhë”, akuzoi Glauk Konjufca, nënkryetar i lëvizjes Vetëvendosje.
I biri i Hasan Abazit i arrestuar një ditë më parë, Haki Abazi, tregoi përmes telefonit nga Vranja e Serbisë se babai i tij po mbahet në burg në pritje për të dalë para trupit gjykues. Atij nuk i është lejuar kontakti me të atin e as avokati nuk e ka takuar ende.
Abazi tregoi se babai i tij, në pozitën e kryesindikalistit të industrialistëve po kalonte tranzit nëpër Serbi për të marrë pjesë në një konferencë në Kroaci.
Top Channel