Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk ka ambicie për t’u bërë president i vendit.

Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Express”, Krasniqi ka dhënë edhe opinionin e tij për ndryshimet kushtetuese për çështjen e kreut të shtetit, të cilat janë dërguar në gjykatë.

“Mendimi im nuk varet këtu. Kuvendi ka krijuar një komision ad hoc, i cili e ka amendamentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe të drejtat e përgjegjësitë e tij. Kanë ardhur amendamentet në administratën e Kuvendit dhe unë e kam kryer detyrimin kushtetues për t’ia dërguar Gjykatës Kushtetuese, për të verifikuar nëse amendamentet bien ndesh me Kapitullin II të Kushtetutës”, ka deklaruar Krasniqi.

Përsa i përket zgjedhjeve për postin e kreut të shtetit, ai i është referuar amendamenteve që sugjerojnë se ato duhet të mbahen 6 muaj pas miratimit të Kushtetutës.

“Ju e dini që e gjithë kjo është zhvilluar mbi bazën e një marrëveshjeje politike mes dy subjekteve më të mëdha në pozitë dhe opozitë. Në amendamentet e propozuara është paraparë mundësia që pas gjashtë muajsh pasi të miratohet Kushtetuta duhet të mbahen zgjedhjet për president”, ka thënë Krasniqi.

Pyetjes nëse zgjedhjet presidenciale do të mund të mbahen këtë vit, ai i është përgjigjur: “Kjo varet nga proçedurat, çështja është në Gjykatën Kushtetuese. Varet nga koha që i duhet asaj që të kthejë përgjigje dhe miratimi në Kuvend. Kur të miratohen në Kuvend, parashihet periudha e hyrjes në fuqi dhe pastaj, nëse ka hapësirë, që gjashtë muaj më vonë të mbahen zgjedhjet”.

Ndërsa sa për zgjedhjet në radhët e PDK-së, kryetari i Parlamentit ka vlerësuar se është mirë që ato të mbahen në pjesën e dytë të këtij viti. Krasniqi ka bërë të ditur se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për kryetar dhe ka shtuar se për momentin nuk ka ndonjë gjë konkrete.

“Veçse është folur për zgjedhje dhe nuk ka diçka konkrete. PDK-ja është në pushtet dhe në institucionet shtetërore ka mjaft punë, kjo do të thotë se zgjedhjet mund të mbahen këtë vit, por nuk do të thotë që mund të mbahen në një afat të shpejtë”, ka shtuar Krasniqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA