Javët e fundit Uashingtoni është kthyer në Mekën e politikanëve shqiptarë. Në fillim kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Më pas lideri i opozitës Edi Rama e në fund Departamentin e Shtetit është vizituar nga Ilir Meta dhe pritet që edhe kryeministri Sali Berisha të vizitojë këto zyra.
Si shpjegohet dhe cfarë domethënie ka kjo? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje i ftuar në studiot e lajmeve të Top Channel ishte Besnik Mustafaj, ish-Ministër i Jashtëm.
“E gjithë kjo ka një lexim fare të qartë. Fushata elektorale ka nisur dhe sic është në traditën e politikës shqiptare, sidomos vitet e fundit, Uashingtoni është destinacioni i pashmangshëm. Por ajo që bie në sy është se lidershipi, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë ka organizuar vizitat nëpërmjet lobimeve dhe pretekste të tjera dhe në mënyrë të natyrshme janë pritur nga Departamenti i Shtetit, cka tregon që DASH mban një distancë të barabartë me politikanët shqiptarë”, tha zoti Mustafaj.
Një ndër debatet më të forta në distancë ka qenë ajo për partitë e reja që janë krijuar dhe që pritet të krijohen. Berisha ka sulmuar fort Bamir Topin dhe Kreshnik Spahiun si paterica të Ramës, ndërsa vetë Edi Rama thotë se fakti është që Partia Demokratike është ndarë në tresh tashmë.
Lidhur me akuzat dhe kundërakuzat mes palëve, zoti Mustafaj tha se të dyja kahet e politikës, të dy liderët ndjehen të kërcënuar tashmë, sidomos nga paralajmërimi i krijimit i asaj që të gjithë e quajnë “partia e Topit”.
“Ajo parti e paralajmëruar nga zoti Oketa, pasi vetë Topi s’e ka përmendur ende, do të thotë se ka shqetësuar të dyja krahët e politikës. Nga ajo që ka artikuluar Oketa, dy liderët e partive të mëdha ndjehen të kërcënuar dhe përpiqen ta shtyjnë drejt kundërshtarit. Të dyja sulmet ndaj këtij lajmi të paralajmëruar për partinë e Topit më duken të dobishme për këtë iniciativë politike”, tha Mustafaj.
Një betejë e fortë po bëhet edhe për ish të përndjekurit dhe ish pronarët, të cilët janë kthyer në cështje aktuale të politikës. Pasi Rama ka aktivizuar këto cështje dhe ka zhvilluar edhe tryeza me përfaqësues të tyre, Berisha nga ana tjetër nuk ka mbetur pas me ligjin për ish të përndjekurit apo ndryshime ligjore për pronat.
Por përse kjo betejë? Ish-ministri i Jashtëm e shpjegon shkurt: fushata për zgjedhjet e 2013-s ka nisur.
“Unë këtë e shikoj si një gur të varur në qafën e politikës shqiptare. Dy forcat e ndjejnë që nuk kanë zgjidhur këto problemet e pronave dhe ish të përndjekurve dhe përpiqen ta mbajnë cështjen për ta përdorur politikisht. Fushata elektorale ka nisur dhe ka nisur jashëzakonisht herët. Fakti thotë që ka një dozë hipokrizie apo mungese realizmi tek premtimet që bëhen nga të dyja palët për këtë shtresë”, deklaroi ish-ministri Mustafaj.
Top Channel