Italia mbështet “mbylljen e shpejtë” të proçesit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm italian, Giulio Terzi në përfundim të një takimi të zhvilluar në Romë me homologun kosovar, Enver Hoxhaj.

“Një marrëveshje e tillë do të përbënte për Prishtinën një lidhje solide dhe të strukturuar me Bashkimin Evropian”, ka shtuar shefi i diplomacisë italiane.

Ndërsa ministri Hoxhaj nga ana e tij ka falenderuar Italinë për “mbështetjen maksimale” të saj në 10 vitet e fundit, “për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur”.

Deklarata e ministrit Terzi vjen një ditë pasi komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fyle shpalli zyrtarisht në Prishtinë fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën.

Vetë Fyle e quajti këtë si një hap dhe periudhë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Më herët, gjatë qëndrimit të tij në Romë, ministri Hoxhaj mbajti një fjalim në universitetin La Sapienza, ku foli për ecurinë e Kosovës që nga spastrimi etnik, shpallja e pavarësisë e deri më sot.

“Serbisë asnjëherë nuk i ka interesuar popullsia në Kosovë, por vetëm territori. Politika e saj e spastrimit etnik u ndalua me ndërhyrjen humanitare të NATO-s, që solli paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan e më gjerë”, deklaroi Hoxhaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA