Ambasadorja amerikane në Beograd, Mary Warlick ka deklaruar se qeveria serbe nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, ndërkohë që për ato parlamentare mund të votojnë të gjithë shtetasit serbë në mbarë botën.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë nga ana e Serbisë do të ishte një veprim ilegal, i papërshtatshëm për t’u realizuar në terren dhe po ashtu i papranueshëm”, ka thënë Warlick për kanalin RTV të Novi Sadit.
Diplomatja amerikane ka ritheksuar se është e rëndësishme që Beogradi ta kuptojë se zgjedhjet në veri të Kosovës mund të realizohen vetëm me konsensusin e qeverisë së këtij vendi.
“Pra, nuk bëhet fjalë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ndërsa përsa i takon zgjedhjeve legjislative, mendoj se të gjithë shtetasit serbë kudo që ndodhen duhet të kenë mundësi të votojnë”, ka thënë Warlick.
Bogdanoviç: Nuk i tërheqim zgjedhjet në veri
Ndërkohë, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se Beogradi
nuk ka ndërmend të tërhiqet nga plani për shtrirjen e zgjedhjeve lokale
në veri të Kosovës.
Bogdanoviç është shprehur se pavarësisht përgjigjes negative të UNMIK-ut për organizimin e zgjedhjeve, proçesi do të mbahet pasi është i një rëndësie të veçantë për Serbinë.
“Do të vazhdojmë bisedimet me misionin e Kombeve të Bashkuara, me OSBE-në dhe me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurojmë mbajtjen pa pengesa të zgjedhjeve në Kosovë”, ka thënë Bogdanoviç për të përditshmen serbe “Danas”.
Vetë shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, përmes një letre dërguar qeverisë beogradase, njoftonte se misioni i tij, në bazë të kushteve aktuale, nuk mund t’i organizojë zgjedhjet lokale.
Ndër të tjera, ministri Bogdanoviç ka nënvizuar se problemi kryesor që has qeveria serbe në organizimin e këtij proçesi është siguria, arsye për të cilën do të merren parasysh të gjitha problemet në terren.
“Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nuk është sekrete. Ato i kundërshtojnë disa vende, por e rëndësishme është zbatimi i ligjeve të Serbisë dhe i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bogdanoviç.
Ai ka shtuar më tej se, mosmbajtja eventuale e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nuk nënkupton heqjen e institucioneve serbe në veri.
Top Channel