Takimi i paralajmëruar mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe presidentit serb Boris Tadiç nuk do të zhvillohet në qershor.

Lajmi i publikuar pak ditë më parë nga mediat kosovare është përgënjeshtruar nga zyra e shtypit e presidentit serb, e cila ka argumentuar se takimi nuk do të mbahet për shkak të proçeseve elektorale serbe.

“Nuk ka asnjë mundësi që presidenti Tadiç të takohet me Hashim Thaçin në qershor. Refuzimi vjen për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale në Serbi”, thuhet në një njoftim për shtyp të Presidencës, të publikuar nga agjencitë serbe.

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi disa ditë më parë nuk u shpreh kundër një takimi me Tadiç, duke thënë se një gjë e tillë do të tregonte nivelin e barabartë të përfaqësimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri më tani Thaçi dhe Tadiç kanë zhvilluar dy takime kokë më kokë, njëri në Athinë dhe tjetri në Nju Jork.

Në numrin e së dielës, gazeta kosovare “Express” shkruante se Thaçi dhe Tadiç do të takoheshin gjatë muajit qershor, në Londër ose në Bruksel.

Njëkohësisht, gazeta hodhi poshtë spekulimet për mundësinë e mbajtjes së këtij takimi në Sarajevë, për faktin se Bosnja e Hercegovina nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA