Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, vlerësoi se nxjerrja e Greqisë nga monedha e përbashkët euro do të ishte një gabim “fatal” politik.

Deklaratën e saj, gruaja që drejton vendin me ekonominë më të fuqishme të Europës, e bëri gjatë një interviste në një program të BBC, transmetuar të hënën.

Merkel theksoi se “Gjermania do të bëjë gjithçka për të mbajtur Eurozonën të bashkuar”. Ajo gjithashtu qetësoi frikën për futjen në një spirale borxhesh nga vende të tjera të Europës, duke thënë se “kriza greke i ka bërë të gjithë që të nxjerrin mësime të vlefshme”.

E pyetur për programin e shkurtimeve të Britanisë së Madhe, kancelarja shprehu mbështetje, duke thënë se “asnjë vend nuk mund të jetojë përtej mundësive të tij”.

Greqia fitoi së fundmi një paketë prej 130 miliardë eurosh, hua e kredituar kryesisht nga bankat gjermane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Fondet e shumta të taksapaguesve gjermanë që kanë shkuar në ndihmë të Athinës kanë ngjallur kundërshti të mëdha në vend, por sipas Merkel, ndihma e dhënë për Greqinë është thelbësore jo vetëm për vendin helen, por për të gjithë Bashkimin Europian.

”Greqia po përballet aktualisht me vështirësi të shumta dhe administrata po bën të pamundurën që të rikthejë biznesin në rrugën e konkurrencës ndërkombëtare. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe me pengesa. Megjithatë, kur vendosëm të bëheshim pjesë e një monedhe të vetme, ky nuk ishte një vendim thjesht fiskal”, argumentoi Merkel.

”Mbi të gjitha, ky ishte një vendim politik dhe në këtë pikë, do të ishte katastrofike për të gjithë Unionin nëse do të dalim dhe do t’i themi një shteti që nuk është më i mirëpritur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA