Përvjetori i 13 -të i bombardimeve të NATO-s e gjen Kosovën me më pak trupa ndërkombëtare, por shumë afër realizimit të ëndrrës për bërjen e ushtrisë së saj.
Synimet strategjike të ndërhyrjes ushtarake para 13 vjetesh dolën se nuk ishin vetëm përfundimi i luftës dhe dëbimi i një ushtrie e cila kryente gjenocid mbi popullatën civile.
Përtej kësaj vendosja e trupave tokësore dhe krijimi i institucioneve vetqeverisëse orientoi Kosovën drejt një procesi i cili do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë.
Është aleanca veri-atlantike, NATO e cila po vazhdon të japë kontributin e saj në krijimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë e cila sot hapur quhet ushtria e Kosovës, ndërsa ky fakt deri para pak kohësh diskutohej vetëm brenda dyerve të mbyllura.
“Ju duhet të ndjeheni krenarë se jeni pjesë e lavdishme e këtij kuptimi madhështor, pra shtetit të pavarur dhe sovran. Ju që dje ishit pjesë e UÇK-së, pjestarë të TMK-së, sot jeni ushtarë të FSK-së dhe ushtarë të shtetit të Kosovës ashtu sic do të jetojë përgjithmonë shteti i Kosovës ashtu do të jetojë përgjithmonë edhe uniforma e ushtrisë së Kosovës”, deklaroi kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi në përvjetorin e pavarësisë, më 17 shkurt.
Njohësit e rrethanave politike në Kosovë vlerësojnë se Kosova është më afër se kurrë krijimit të ushtrisë së saj kombëtare. Dhe kjo ndërlidhet edhe me kohën që Serbisë i është shkurtuar për të hequr dorë nga Kosova për shkak të anëtarësimit të saj në BE.
“Fati i FSK-së do të varet kryesisht se sa Kosova si shtet do të mund të afirmohet mes shteteve demokratike. Kosova nuk ka qenë kurrë më afër krijimit të ushtrisë së vet kombëtare. Mendoj që vitin tjetër do të jetë viti kur Kosova do të ketë ushtrinë e saj”, thotë analisti Halil Matoshi.
Por a do të jetë FSK-ja ushtri e cila do të zgjidhë probleme si ato në veri të Kosovës. Në fakt krijimi i FSK-së nuk erdhi në mënyrë të rastësishme, pavarësisht se pakoja e Ahtisarit, me të cilën parashihet krijimi i kësaj force, rezultoi pas një procesi të gjatë negociator.
UÇK-ja dorëzoi armët pas luftës, por ishin po ata njerëz, ushtarë të cilët veshën uniformën e TMK-së (Trupat Mbrojtëse të Kosovës) e cila e krijua nga Kombet e Bashkuara me rolin e vetëm në zbatimin e ligjit apo në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike.
Njerëzit e UÇK-së praktikuan për tetë vjet format e kërkim-shpëtimit, cminimin e zonave të minuara dhe ofrimin e ndihmës humanitare në zonat e izoluara. Një pjesë e TMK-së kaloi në FSK e cila sot është e armatosur lehtë, por po dizajnohet dhe përgatitet për të përmbushur funksionet nevojshme të sigurisë shtetërore.
Top Channel