Me rastin e 13-vjetorit të bombardimeve të NATO-së në Kosovë që shënoi
edhe fillimin e çlirimit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi organizoi
një pritje për zyrtarët më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit
ndërkombëtarë që veprojnë dhe punojnë në Kosovë.

Me këtë rast kryeministri kosovar tha se fale rezistencës qytetare, vizionit politik perëndimor, luftës së pa kompromis së UÇK-së dhe nderhyrjes se NATO-së, Kosova arriti çlirimin dhe fillimin e një jete të mirëfilltë demokratike.

Thaci shprehu ndjenjat më të larta të respektit për aleancën ushtarake NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare, që u vunë në mbrojtje të Kosovës në ditët më të vështira dhe më vendimtare. Por ai i beri elozhe edhe luftes se drejtë,- sic tha,- te popullit të Kosovës se udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë.

“Duke ju falënderuar rezistencës qytetare, vizionit politik perëndimor dhe politikës kosovare, luftës së pakompromis së UÇK-së, rezistencës gjithë qytetarëve të  Republikës së Kosovës dhe intervenimit të NATO-s, Kosova arriti çlirimin dhe fillimin e një jete të mirëfilltë demokratike. Kosova kaloi vështirësitë e një shoqërie të dalë nga lufta me një vizion të qartë me ndihmë e shteteve mike, Kosova kaloi në procesin e tranzicionit dhe të krijimit të institucioneve legjitime, zhvillimit të demokracisë dhe përparimit ekonomik”, ka thënë ai.

Duke folur per periudhen post-konfliktit, kryeministri permendi arritjet duke kujtuar se 13 vjet nga fillimi i fushates ajrore te NATO-s, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga 89 vende është shtet i konsoliduar që po fuqizohet çdo ditë.  

Ai nuk ka lënë pa përmendur kontributin e madh që ka dhënë dhe po jep NATO, duke theksuar faktin se e njëjta po vazhdon të jep kontributin e saj edhe me trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, si forcë profesionale, moderne me aspiratë të qartë që Kosova të anëtarësohet në NATO.

Presidentja Jahjaga falenderon Aleancën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 13-vjetorit të ndërhyrjes së trupave të NATO-s ndaj spastrimit etnik serb, ka përshëndetur operacionet e Aleancës.

Me anë të një deklarate për shtyp, zonja Jahjaga ka vlerësuar se, përmes kësaj ndërhyrjeje të suksesshme, Aleanca mbrojti vlerat e lirisë, demokracisë dhe qytetërimit.

“NATO, në 50-vjetorin e krijimit, dëshmoi se është në gjendje të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe mënjanimit të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”, është shprehur Jahjaga.

Presidentja ka vlerësuar përkrahjen ndërkombëtare në ato momente të vështira për Kosovën, kur qytetarët e saj shpërnguleshin me dhunë dhe binin pre e genocidit serb.

“Populli i Republikës së Kosovës ndien respekt dhe nderim të veçantë për angazhimin e Shteteve te Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës, në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm, duke vendosur vlerat e qytetarisë në këtë pjesë të Evropës”, ka nënvizuar Jahjaga.

Më tej kryetarja e shtetit më të ri të Evropës ka shprehur admirimin e saj maksimal për angazhimin e përkushtuar të trupave të Aleancës, “që për 78 ditë më radhë luftuan për vënien në jetë të parimeve në të cilat besonin dhe që për ne si popull ishin vetë jeta”.

Përshëndetja e Presidentit Topi

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, përshëndeti 13-vjetorin e nisjes së sulmeve të NATO-së, mbi Serbi si kundërpërgjigje për gjenocidin që makineria ushtarake serbe po ushtronte ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Presidenti Topi, në emër të popullit shqiptar, shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara, Presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Klinton dhe kryeministrin britanik, Toni Bleir, si dhe të gjitha vendeve aleate që morën pjesë në sulmet kundër regjimit të Millosheviçit.

“24 marsi i vitit 1999 shënoi fillimin e fundit të regjimit diktatorial të Sllobodan Millosheviçit duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjenocidit, dhunës së pashembullt dhe shpërnguljeve me forcë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës nga trupat ushtarake serbe. Në emër të shtetit shqiptar dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Klinton, për Kryeministrin britanik Toni Bleir si dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat i erdhën në ndihmë dhe përkrahën pa hezitim popullsinë shqiptare të Kosovës duke e shpëtuar atë nga spastrimet etnike dhe dhuna më çnjerëzore e ushtruar në Europë në fund të shekullit XX. Tashmë Ballkani, i çliruar nga mendësitë arkaike të konflikteve ndëretnike, ka një realitet të ri gjeopolitik: shtetin e ri, sovran dhe të pavarur të Kosovës, perspektiva e qartë e të cilit është padyshim integrimi në gjirin e strukturave euro-atlantike dhe në familjen e madhe europiane”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Presidentit Topi. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA