Kroacia ka ndaluar përmes një vendimi të miratuar nga qeveria e vendit importin e naftës dhe derivateve të saj nga Republika Islamike e Iranit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ballkanase. Me këtë vendim Kroacia i është bashkuar kështu vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, që kanë vendosur sanksione ndaj Iranit.

Irani akuzohet nga fuqitë perëndimore se po pasuron uranium me qëllim ndërtimin e bombës atomike, akuzë kjo që mohoet vazhdimisht nga Teherani zyrtar.

Perëndimi i ka kërkuar qeverisë së vendit islamik që të ulet në bisedime, por deri tani pavarësisht disa qasjeve pozitive nuk është arritur asgjë.

Për rrjedhojë SHBA dhe BE duan ta detyrojnë Iranin që të heqë dorë nga proçesi i pasurimit të uraniumit duke i vendosur sanksione të karakterit ekonomik, për ta dobësuar.

Kohët e fundit mbi Iranin ka qarkulluar edhe hipoteza e përdorimit të forcës, por presidenti amerikan Barack Obama ka shprehur besimin se ka ende hapësirë për një zgjidhje diplomatike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë dialogun me Iranin dhe nuk ka asnjë arsye përse të dy vendet të jenë në konflikt me njëri-tjetrin”, deklaroi Obama pak ditë më parë.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se nuk do të presë gjatë për kryerjen e një sulmi ndaj impianteve bërthamore iraniane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA