Në kuadrin e luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, sidomos në gjirin e klasës politike të vendit, parlamenti grek ka votuar me shumicë votash, një projektligj për rikontrollimin e deklarimit të pasurive të të gjithë politikanëve qysh pas rënies së diktaturës në vend.

Konkretisht në këtë ligj parashikohet fillimisht rishqyrtimi me hollësi i deklaratave për pasurinë e patundshme, të ardhurat dhe depozitat bankare të politikanëve prej vitit 1974 e deri në 2010.

Gjithashtu do të bëhen publike në internet jo vetëm deklaratat e pasurisë së politikanëve, por edhe të të gjithë atyre, që nuk kanë paguar detyrimet shtetërore dhe do të konfiskohet nga shteti, cfarëdolloj pasurie e cila nuk është deklaruar, nëse brenda tre muajve nuk vërtetohet, se është përvetësuar në mënyrë të ligjshme.

Është një nismë politike që duhej bërë vite më parë, pa u krijuar kriza e madhe e besimit ndaj partive dhe humbja e respektit ndaj figurës së politikanëve, deklarojnë qytetarët grekë.

Mosbesimi qe ata shprehin sidomos për dy partitë e mëdha, konservatorët dhe socialistët, ka bërë që ato të përqëndrojnë respektivisht në sondazhin e fundit, vetëm 22,5% dhe 12,5 % të votave, ndërsa ka sjellë rritjen e partive të majta, por edhe të së djathtës ekstreme.

Përvec ultranacionalistëve të Partisë LAOS, për herë të parë duket se do të futen në parlament me 3.5%, ksenofobët e “Agimit të Artë”(Hrisi Avgji), apo “Grekët e Pavarur”, një parti e sapokrijuar nga gjiri i së djathtës, me tendenca të theksuara patriotizmi, që përbën edhe surprizën e deritanishme me 11%, të një fushate ende të pafilluar elektorale në vend, kur zgjedhjet thuhet se do të zhvillohen pas disa javësh, por data e tyre ende nuk po bëhet e ditur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA