Dënime të lehta për Real Madrid

23/03/2012 17:45

Komiteti i Garave i Federatës Spanjolle të Futbollit pezulloi me dy ndeshje mbrojtësin e Realit të Madridit Pepe pasi ofendoi arbitrin pas përfundimit të takimit Villarreal-Real Madrid me frazën “Cfarë vjedhje! Bir k…”.

Gjithashtu është pezulluar me një ndeshje Mesut Ozil, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Villarreal pasi duartrokiti me ironi vendimet e gjyqtarit në këtë takim. Të dy këta futbollistë do të mungojnë për madrilenët në ndeshjen e fundjavës me Real Sociedad.

Komiteti u tregua “i butë” me Sergio Ramos, i cili gjithashtu mori karton të kuq pas dy ndërhyrjesh të rënda, duke i falur njërin nga kartonët e verdhë. Sipas Komitetit, në relacionin e gjyqtarit është bërë një gabim pasi nuk duhej ndëshkuar futbollisti me kartonin e parë të verdhë. Në këtë mënyrë mbrojtësi spanjoll është i disponueshëm për të luajtur.

Jose Mourinho, trajneri i Real Madrid, dhe Rui Faria, ndihmësi i tij, janë pezulluar respektivisht me një dhe dy ndeshje. Të dy portugezët u ndëshkuan me karton të kuq për shkak të protestave që pasuan golin e barazimit të vendasve.

Real Madrid barazoi 1-1 dhe tashmë ndjen afrimin e Barcelonës në krye të renditjes. Katalanasit janë 6 pikë larg madrilenëve dhe duket se kampionati spanjoll është rihapur sërish duke marrë parasysh se Klasikja e radhës do të luhet në shtëpinë e Barcelonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA