Megjithëse një komunë e vogël, e shkatërruar nga lufta dhe ende në kërkim të personave të zhdukur, Rahoveci kërcënohet nga ndarja e territorit në vija etnike.
Të paktën këto janë pretendimet e zyrtarëve komunale dhe shoqërisë civile kur i bëhet një analizë projektligjit për fshatin Hoçë e Madhe, i banuar me pjestarë të komunitetit serb.
Ky fshat përfshin zonën kadastrale prej 1 350 hektarësh, e dyta pas qytetit te Rahovecit për nga madhësia. Siç shpjegojnë autoritetet komunale, projektligji i sponzorizuar nga qeveria i shndërron kufijtë kadastrale të kësaj hapësire në kufij të zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të cilat kanë për autoritet kishën ortodokse serbe.
“Ky ligj bie në kundërshtuim me ligjin për qeverisjen lokale, që është një ligj që rregullon marrëdhëniet politike, administrative dhe juridike të komunës dhe kompetencave të komunave. Ligji i ri parashikon krijimin e një këshilli, i cili nuk parashihet askund në ligjin për vetqeverisjen lokale. Ai krijon një mekanizëm shtesë të pushtetit që është krejtësisht i panevojshëm. Me këtë ligj krijohet një lloj ndarje etnike, pasi një fshat, për shkak të strukturës së tij etnike serbe, merr kompetenca shtesë që i takojnë eksluzivisht komunës, sidomos përsa i përket planifikimeve të ndryshme hapsinore”’, deklaroi Lenhard Hamza, drejtor i Administratës së Përgjithshme të Komunës së Rahovecit.
Fshati numëron gjithsej 14 objekte fetare të cilat konsiderohen pjesë të trashëgimisë kulturore serbe dhe si të tilla parashihet të mbrohen me ligj.
Edhe ata pak banorë që shihen nëpër rrugët e fshatit duken se jetojnë në një klimë të mirëintegruar, por vërehet ngecje sa i përket zhvillimit ekonomik. Disa prej tyre nuk pranojnë të flasin për “Top Channel”, por në biseda larg kameras shprehen se nuk kanë njohuri për pushtetin që do t’u jepet.
E teksa serbët i shmangen debatit, një peticion me 10 000 nënshkrime të qytetarëve i është dërguar Kuvendit të Kosovës në kundërshtim të projektligjit.
Ymret Reshiti, kryetar i “Nismës Qytetare kundër Enklavizimit të Rahovecit”, nga ana e tij u shpreh: “Projektligji krijon një minikomunë etnike dhe me të drejta më të avancuara nga sa i takon. Me këtë ligj, prona e shtetit të Kosovës është duke u shndërruar një pronë kishtare, pronë i etnitetit ortodoks serb, që është në kundërshtim me aktet ndërkombëtare, por edhe me kushtetutën dhe ligjet në Kosovë. Konkretisht, rruga që lidh Rahovecin me Suharekën kalon për nga territori i Hoçës së Madhe dhe kështu mund të krijohen pengesa në të ardhmen”.
Ligji për Hoçën e Madhe dhe ai për qendrën historike të Prizrenit janë dy ligje që burojnë nga pakoja e Ahtisarit dhe sipas qeverisë i ndihmojnë përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur. Aktualisht këto projektligje po rishikohen nëpër komisione funksionale.
Top Channel