Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj po zhvillon një tur diplomatik në vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, në përpjekje për të siguruar njohje të reja të pavarësisë.
Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme kosovare, Hoxhaj është takuar me krerë shtetesh, kryeministra dhe homologë, nga të cilët ka marrë premtimin se vendet e tyre do të lëvizin në drejtim të njohjes së Kosovës.
Nga ana e tij, saktësohet në komunikatë, ministri Hoxhaj ka shprehur vendosmërinë e Prishtinës zyrtare për të mbyllur sa më shpejt proçesin e njohjeve dhe mundësimin në këtë mënyrë të anëtarësimit të Kosovës në OKB.
“Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila përfundimisht e ka përcaktuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, asnjë vend nuk ka arsye që ta shtyjë vendimin për ta njohur pavarësinë”, ka thënë Hoxhaj gjatë takimeve.
Pak ditë më parë Kosova u njoh zyrtarisht si shtet nga një tjetër shtet afrikan, Sau Tome and Principe, që ndodhet në qendër të “Kontinentit të zi”.
Ky lajm u konfirmua për Top Channel nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Njohja nga Sau Tome and Principe e çon numrin e shteteve që kanë njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës në 89.
Top Channel