Skemat, aksionet dhe loja e Barcelonës prej disa vitesh elektrizon të gjithë tifozët e futbollit. Por për hipotezën sureale të një televizioni sirian, i lidhur me regjimin e presidentit Bashar al Assad, loja e katalanasve frymëzon kontrabandistët dhe i ndihmon ata për të gjetur rrugën e duhur për të trafikuar armë në Siri nga kufiri me Turqinë.
Po jo vetëm kaq. Televizioni sirian Al Dunya në reportazhin e gjatë analizon lojën e skuadrës së Barcelonës. “Fajtori kryesor” për televizionin sirian është asi i katalanasve, Lionnel Messi.
“Kalimet, fintet dhe shmangiet që u bën ai kundërshtarëve, janë një udhërrëfyes për kontrabandistët për të kaluar armët ilegalisht në Siri. Duke iu shmangur kontrolleve, armët përfundojnë në duart e rebelëve”, argumenton televizioni sirian.
Në mbështetje të tezës së saj, Al Dunya propozon “analizën” e sulmeve të Barcelonës në ndeshjen e fundit të “El Classico” kundër Real Madrid. Kjo analizë “vendos” që fusha e lojës të shihet si e gjithë Turqia (harta), ku lojtarët e Barcelonës përfaqësojnë kontrabandistët, topi përfaqëson rrugën ku do të kalojë malli dhe lojtarët e Realit kontrollorët.
“Analiza” është shumë e bukur për të qenë e vërtetë, por edhe nëse është e tillë, atëherë për kontrollorët e “Real Madrid” (kupto autoritetet) kapja e “topit” (armët kontrabandë), sidomos kur “kontrabandohet” nga këmbët e Messi-t bëhet edhe më e vështirë…
Top Channel