Juventus-Milan, “sfida e Del Pieros”

19/03/2012 16:20

Të martën Juventusi do të presë në shtëpinë e tij Milanin, ndeshje e vlefshme për sfidën e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë.

Bardhezinjtë favorizohen nga rezultati i takimit të parë në San Siro, ku fituan me rezultatin 2-1. Për këtë fakt, trajneri juventin, Antonia Conte paralajmëroi aktivizimin e lojtarëve që për këtë sezon kanë ngrohur stolin.

Një ndër ata që nuk kanë bindur Conte-n për t’u aktivizuar në ndeshjet e kampionatit është edhe Alex Del Piero. Sulmuesi bardhezi do të hidhet që nga minuta e parë në takimin kundër Milanit ditën e martë.

“Kjo do të jetë ndeshja e Del Piero-s. Mendoj që është e drejtë të luajë këtë ndeshje pasi ai, së bashku me Buffon, janë vlera shtesë e kësaj skuadre. Kjo është një ndër ato ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit që mund të na japë mundësinë për të ngritur një trofe, por nëse Milani tregohet më i zot se ne në fushë, atëherë do ta duartrokasim”, kështu deklaroi tekniku juventin, Conte.

Në stol për sfidën e ditës së martë pritet të lihen edhe disa emra të tjerë titullarë, duke patur parasysh edhe lodhjen, si dhe synimet e skuadrës bardhezi për titullin kampion në Serinë A, gjithmonë nëse Milani bën ndonjë hap fals.

Por jo vetëm rezultati i takimit të parë favorizon bardhezinjtë në këtë sfidë, pasi Milani ka zhvendosur vëmendjen tërësisht tek Liga e Kampioneve, ku shorti e vendosi përballë Barcelonës.

Megjithatë, sulmuesi kuqezi, Zlatan Ibrahimovic, u shpreh optimist për kualifikimin, si në Kupën e Italisë, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve.

“Do të shkojmë në Torino për t’u kualifikuar. Do të jetë e vështirë, por do të bëjmë të pamundurën. Jam pak me grip, por do të jem i gatshëm për të luajtur”, shprehet sulmuesi suedez për gazetën ‘Aftonbladet’.

Në lidhje me katalanasit e Pep Guardiolës, Ibrahimovic deklaroi se nuk është aspak i frikësuar.

“Nuk kemi frikë. Me Barcelonën jemi ndeshur në grup e tani duhet të luajmë sërish në çerekfinale. Do të jenë ndeshje të vështira, por për mua nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshjet e mëparshme”, shtoi numri 11 i kuqezinjve.

Për Milanin do të rikthehet pas dëmtimit Clarence Seedorf, i cili pritet të luajë në Juventus Stadium. Gjithashtu pritet edhe grumbullimi i mbrojtësit Alessandro Nesta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA