Kuvend, debat për korrupsionin

15/03/2012 00:00

Interpelanca me kryeministrin Sali Berisha, i thirrur nga deputeti socialist Taulant Balla për zbatimin e strategjisë anti-korrupsion të qeverisë, nxorri në pah se sa larg janë dy palët kur analizojnë cfarë është bërë për luftën kundër korrupsionit.

Partia Socialiste renditi disa raporte ndërkombëtare që nxjerrin Shqipërinë me nivel të lartë të korrupsionit gjatë viteve të fundit.

Ndërsa kryeministri Berisha, duke cituar raportin e Bankës Botërore të vitit 2004, pasi tha se socialistët grabisnin nga taksapaguesit mbi 1.4 miliardë dollarë në vit, theksoi se qeveria e tij, nga lufta kundër korrupsionit ka bërë të mundur mbledhjen e 7.2 miliardë dollarëve më shumë.

“Korrupsioni është nëna e të gjitha të këqijave në një shoqëri të lirë. Qeveria ka mbajtur dhe mban në epiqendër luftën kundër korrupsionit dhe për këtë le t’u referohemi fakteve dhe raporteve ndërkombëtare për korrupsionin. Për të luftuar korrupsionin nevojiten reforma rrënjësore. Pas krjimit të Task Forcës së antikorrupsionit nisi të zbatohet një program ambicioz”, u shpreh kryeministri.

Pjesë e debateve është bërë edhe kërkesa e Partisë Socialiste që kryeministri Berisha të japë shpjegime për pasurinë prej 200 mijë eurosh të deklaruar nga djali i tij.

“Kryeministri të japë sqarime për pasurinë e djalit të tij. Kryeministri të sqarojë biznesin e djalit të tij që fiton 200 mijë euro në vit”, deklaroi deputeti socialist, Taulant Balla.

Por, kryeministri Berisha e cilësoi këtë një sulm personal, pasi as djali dhe askush nga familja e tij nuk kanë fituar asnjë euro nga pasuria publike.

“Taulant Balla është dënuar nga gjykatat për shpifje. Ai ka një proces gjyqësor me djalin tim. Fëmijët e mi i kanë deklaruar pasuritë, por nëse djali im edhe 1 euro e ka të garantuar në lidhje me sektorin publik, unë kërkoj konfiskimin e pasurisë”, tha kryeministri.

Në rimarrjen e fjalës nga foltorja e Kuvendit, deputeti Taulant Balla, nga ana tjetër, shprehu gatishmërinë për lënien e mandatit nëse djali i kryeministrit nuk ka të deklaruara 200 mijë euro në vit fitime nga biznesi i tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta