Menjëherë pas kronikës së transmetuar një ditë më parë në komunën e Golemit dhe firma që ka zbatuar fazën e parë të punimeve për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, një investim prej 5 milion eurosh, kanë reaguar.
Një ditë më parë banorët dhe pronarët e bizneseve turistike të zonës kërkuan ndërhyrje urgjente sepse mungesa e infrastrukturës do shkatërronte edhe këtë vit turizmin në zonë.
“Ne me punën që ka filluar sot dhe me miratimin e shoqërisë sipërmarrëse që kemi marrë sot, pikërisht deri më datën 13 prill është i përfunduar totalisht i gjithë segmenti dhe jo vetëm aksi i dëmtuar”, deklaron Dëshira Qato, shefe e Urbanistikës në Komunën e Golemit.
Puna në terren ka nisur me nivelimin e rrugës dhe më pas me shtrimin e shtresës së çakullit, për të vijuar më pas me asfaltimin e rrugës. Ky do të jetë një rehabilitim i përkohshëm i këtij segmenti tepër problematik, pasi në zonë do të ndërtohet rrjeti dytësor i kanalizimeve të ujërave të zeza që do të lidhë morinë e hoteleve dhe godinave të banimit me rrjetin kryesor duke i dhënë fund ndotjes detare në Adriatik.
Ndërkaq shqetësimi i bizneseve dhe banorëve të plazhit të Golemit mbi cilësinë e pastërtisë premtohet se do të marrë zgjidhje gjatë këtij sezoni turistik.
“Në këshillin e Komunës së Golemit u vendos që të kalojë manaxhimi i pastrimit të zonës së plazhit me mjetet e komunës. Ne kemi parasysh që ne kemi një zyrë shërbimesh dhe një brigadë për të mirëmbajtur zonën turistike sidomos gjatë sezonit turistik”, thotë Ahmet Habili, nënkryetar i komunës Golem.
Me një fond limit prej 11,5 milion lekësh pushteti vendor do të blejë makina teknologjike dhe kontenierë për heqjen dhe depozitimin e mbetjeve urbane, duke ia ofruar këtë shërbim komunitetit përmes punonjësve të vet komunalë me një kosto dhe më të ulët se ajo që i kushtonte firma private që kishte fituar tenderin për një periudhë dy vjeçare.
Top Channel