Bayern Munchen është në qiellin e shtatë pas goleadës 7-0 ndaj Baselit, një fitore që ka larguar krizën dhe ka shpëtuar nderin e futbollit gjerman në Ligën e Kampioneve.
Si mediat gjermane ashtu edhe ato ndërkombëtare kanë thurur elozhe, sidomos për Mario Gomez, autorin e katër golave. “Makinë golash”, “Super-Mario” apo “Gomessi” janë titujt në faqet e para të gazetave. Janë thurur elozhe edhe për rezultatin e thellë që nuk e kishte arritur kurrë më parë një ekip gjerman në Champions.
Por, Franz Beckenbauer, presidenti i nderit i bavarezëve, qëndron me këmbë në tokë. Në kolumnën e tij të zakonshme në tabloidin ‘Bild’, Kaizeri shkruan: “Nëse Bayern vazhdon kështu mund të mundë këdo, përveç Barcelonës dhe Realit. Prandaj shpresoj që t’i shmangim gjatë shortit të së premtes. Dua që me këto ekipe të ndeshem vetëm në finalen e 19 majit.”
Në të njëjtën linjë edhe presidenti Uli Hoeness, i cili është shprehur për mediat gjermane: “Ju gazetarët jeni shumë euforikë. Tani fillon Liga e Kampioneve dhe tani fillojnë të luajnë ekipe si Barcelona, Real Madrid dhe Milan. Nuk mund të mendojmë se e kemi fituar trofeun vetëm sepse bëmë një ndeshje madhështore.’
Top Channel