Duket se bisedimet politike rreth çështjes së veriut të Kosovës po bëhen të pashmangshme. Ishte ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Cooper i cili duke përgënjeshtruar zyrtarët e Prishtinës konfirmoi se do të ketë bisedime politike edhe për Veriun.
Tashmë kjo çështje po gjen përkrahje edhe më të gjerë. Në një ligjëratë në një nga kolegjet e Prishtinës, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff tha se për këtë çështje nuk mund të bisedojë Prishtina dhe Beogradi pa u përfshirë edhe banorët lokalë të Mitrovicës së Veriut.
Sipas tij, ajo çka është e sigurt është se nuk do të ketë një strukturë si në Bosnje. Cliff theksoi se asnjë strukturë e etniteteve të veçanta nuk është e dëshirueshme duke shtuar se në asnjë çast dhe në asnjë mënyrë nuk është parashikuar krijimi i një strukturë të veçantë në Veri të vendit.
“Në media është dhënë se ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper ka thënë se do të ketë bisedime edhe për Veriun. Nuk mund të bisedohet mes Prishtinës dhe Beogradit pa banorët vendas të asaj ane. Por një gjë është e sigurtë, nuk do të ketë status special për Veriun”, tha ambasadori Ian Cliff.
Ndërsa duke folur rreth përfaqësimit të Kosovës me fusnotë, ka thënë se kjo është një gjë e mirë, por nuk është ideale. Para studentëve ai ka folur edhe sa i përket mundësisë së mbajtës së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Sipas ambasadorit Sërbia nuk ka të drejtë që të zhvillojë zgjedhje lokale në Veri apo kudo tjetër në Kosovë.
Ai rikujtoj që një veprim i tillë është kundërshtar nga pothuajse të gjithë faktorët ndërkombëtar dhe se kjo çështje ndalohet edhe me rezolutën 1244.
Në anën tjetër mosmbajtja e zgjedhjeve lokale në Veri, sipas serbëve do të thotë lëshim të Kosovës dhe shpërngulje.
“Nëse shteti nuk mbron serbët dhe nuk i mban institucionet serbe, do të na duhet ose ta lëshojmë Kosovën, ose të pranojmë që të bëhemi kosovar. Do të ketë shpërngulje. Nëse nuk ka zgjedhje, që nga shtatori 3.000 familje do të mund ta lëshojnë Kosovën”, citohet të ketë thënë Krstimir Pantiç, i ashtuquajtur kryetar i pjesës veriore të Mitrovicës.
Top Channel