
Javët të cilat mungojnë deri në fundin e kampionatit italian po shkurtohen gjithnjë e më shumë dhe ato që fitojnë terren në këtë fazë janë polemikat ndaj arbitrimit.
Ndeshja Xhenoa-Juventus e mbyllur 0-0 këtë fundjavë, ka revoltuar akoma më shumë skuadrën torineze ndaj sistemit të futbollit në Itali. “Zonja e Vjetër ka vendosur heshtjen për shtyp pas ndeshjes kur arbitri Rizzoli nuk dha një penallti për Alessandro Matri si dhe nuk vlerësoi të rregullt golin e Pepe-s.
Rezultati i dha mundësinë Milanit të shkëputet në +4 pikë nga Juventusi, shkëputje që deri para një muaji nuk mund të imagjinohej.
Ky hendek në Serinë A është krijuar pas disa episodeve që bardhezinjtë kanë denoncuar kundër tyre, ndërsa edhe penalltitë në favor të tyre kanë munguar si asnjë skuadër tjetër, vetëm 1 penallti e dhënë ndaj Cezenës.
Pavarësisht ngjyrave të tifozëve, mbi kampionatin aktual kanë rënë hije të një sistemi jo të besueshëm dhe që ndoshta pikërisht vendimet e “xhaketave të zeza” mund të përcaktojnë fatin e titullit kampion.
Përvec Juventusit janë edhe disa skuadra të tjera që kanë kritikuar hapur arbitrat në më shumë se një rast, ndërsa nga fundi i kampionatit mungojnë më pak se 3 muaj.
Galliani: Jemi më të fortët
Administratori i Deleguar i Milanit, Adriano Galliani shprehu besimin se skuadra e tij ka mundësi të mira për të përfunduar në vendin e parë këtë kampionat, sidomos pas rezultateve të kësaj jave, ku Juventusi u ndal nga Xhenoa sërish në barazim.
“Ne mendojmë se kemi grupin më të fortë në Itali, kemi 4 pikë avantazh dhe presim rikthimin e lojtarëve të dëmtuar, që në këto 11 javë të mbetura të kampionatit, do të jenë bonusi ynë”, tha Galliani.
Numri dy i kuqezinjve e cilësoi rivalitetin me skuadrën e Juventusit, (përfshirë këtu edhe polemikat pas përballjes direkte të luajtur në San Siro, ndeshje e ndarë në barazim 1-1) si mëse normal që historikisht ka karakterizuar futbollin italian.
Allegri: Kampionati ende i hapur
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri po shijon vendin e parë të Serisë A dhe kualifikimin për në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve.
Tekniku i kuqezinjve ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës në ndeshjen kundër Leces, por shtoi se në lojë janë edhe shumë javë të tjera për t’u luajtur dhe se kampionati mbetet i hapur.
“Për ne ishte shumë e rëndësishme të fitonim të dielën dhe tani kemi katër pikë avantazh ndaj Juventusit, por kampionati është shumë larg fundit. Ndeshje të tilla janë shumë të vështira, por bëhen të lehta kur shënon shpejt”, deklaroi Allegri.
Top Channel