Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka deklaruar se Beogradi do të kundërshtojë me vendosmëri dhe pa mëdyshje anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këtë deklaratë shefi i diplomacisë serbe e ka bërë pas një takimi të zhvilluar sot me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland.
“Nëse Prishtina do të kërkojë pranimin në këtë Këshill, ne do të përdorim të gjitha mjetet politike dhe diplomatike për ta penguar atë”, ka thënë Jeremiç.
Jeremiç vazhdon kështu lobimin kundër Kosovës, në përpjekje për të penguar anëtarësimin e shtetit të ri në organizmat ndërkombëtare.
Megjithatë, deri tani Kosova ka arritur të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë.
Nga ana tjetër, Jeremiç ka vijuar edhe përpjekjet për të penguar njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, duke zhvilluar vizita në vendet afrikane dhe ato latine.
Në fillim të vitit ai hodhi poshtë lajmet e publikuara në mediat kosovare për njohjen e pavarësisë nga disa vende afrikane.
Jeremiç tha se, këto “gënjeshtra” i ishin konfirmuar vetë atij nga homologët e vendeve afrikane, me të cilët ai u takua gjatë një vizite në Adis Abeba të Etiopisë.
Reagimi i tij erdhi pasi disa ditë më parë autoritetet kosovare kishin njoftuar se Gana ishte bërë shteti i 87 në botë që kishte njohur pavarësinë e vendit ballkanas.
Top Channel