Ndërmjetësi i BE në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit që në nismat rajonale të respektojnë marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës.
Apelin e tij Cooper e ka bërë përmes një letre dërguar qeverive të vendeve ballkanase, të cilës i ka bashkangjitur edhe tekstin e marrëveshjes.
“Do t’ju isha mirënjohës po t’i kushtonit vëmendje përfundimeve të marrëveshjes dhe të siguroheshit që ato të respektohen”, ka deklaruar Cooper.
Cooper ishte personi kyç që nxiti Prishtinën dhe Beogradin të arrinin një marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Kjo çështje kishte bërë që të bllokoheshin bisedimet mes palëve, por pas negociatave që vetë Cooper bëri në Beograd dhe Prishtinë, marrëveshja u arrit më 24 shkurt.
Ajo parashikon përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale me një fusnotë ku përfshihet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimi i GJND-së që cilëson legjitime pavarësinë.
Marrëveshja u përshëndet në masë nga faktori ndërkombëtar, si nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe një seri zyrtarësh të tjerë.
Ajo u kundërshtua ashpër nga opozita kosovare me pretendimin se e kthen Kosovën në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u, me një status të papërcaktuar.
Por kongresmeni amerikan Eliot Engel u bëri thirrje kosovarëve që ta shohin atë në tërësi, duke nënvizuar se Kosova do të ketë më shumë përfitime se sa humbje nga nënshkrimi i këtij pakti.
Top Channel