Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nuk guxojnë të provokohen pasi nga ato varet ardhmëria e vendit, kështu ka deklaruar kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas një takimi që realizoi me ambasadorin amerikan në Shkup, Poll Volers në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
Ahmeti ka bërë thirrje që incidentet të dënohen nga të gjitha palët dhe ka ftuar mediat maqedonase të mos nxisin urretje duke fajsuar shqiptarët për ngjarjet e fundit. Lideri integrist beson se prapa incidenteve nuk qëndron asnjë subjekt politik.
“BDI ka dënuar dhe dënon aktet e tilla, aktet qyqare, akte të ulta. Ne na rezulton që pjesa dërmuese e këtyre aktiviteve janë spontane dhe nuk ekziston asnjë forcë politike. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kontribuojnë në ndërtimin e marrëdhënieve ndërnetike sepse nga raportet ndëretnike varet shumë edhe ardhmëria e vendit tonë”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kreu i partisë shqiptare në pushtet-BDI, Ali Ahmeti, kërkoi nga policia të garantojë sigurinë e qytetarëve, duke nxjerrë të gjithë autorët e incidenteve para organeve të drejtësisë. Ai ftoi institucionet e shtetit që incidenteve t’i qasen në mënyrë të drejtë dhe jo në mënyrë selektive.
Top Channel