Në vitin 2010, kur Shqipërisë iu refuzua për herë të parë statusi, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i Bashkimit Europian, përcaktoi 12 përparësi që Shqipëria duhet të përmbushte.
Kushti i parë, mirëfunksionimi i Parlamentit kërkon, më e pakta, një rregullore konsensuale për funksionimin e këtij institucioni. Meqë ndryshimet e fundit të rregullores u bënë vetëm me votat e mazhorancës dhe rregullorja e re konsensuale nuk është miratuar ende, ky kusht mbetet i paplotësuar. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin e grupit të punës për rregulloren e re.
Kushti i dytë, mund të konsiderohet pjesërisht i plotësuar. Ndonëse këtë vit u kaluan ndryshimet e disa kodeve, ku i fundit ishte Kodi Penal, mbetet ende pa miratuar ligji për Gjykatën Administrative.
Kushti i tretë, që kërkonte emërimin e Avokatit të Popullit dhe aplikimin e procedurave sistematike për dëgjimin dhe votimin në Parlament të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, është gjithashtu pjesërisht i plotësuar. Avokati i ri Popullit u zgjodh me konsensus, por ende nuk janë sqaruar përfundimisht kompetencat mes Presidentit dhe Kuvendit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Vendimi që pritet të japë Gjykata Kushtetuese pas një ankimimi të fundit të Presidentit për këtë çështje, pritet ta plotësojë përfundimisht këtë pikë.
Kushti katërt, reforma zgjedhore, mbetet edhe ai i paplotësuar. Edhe këtu, palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të komisionit të reformës zgjedhore.
Kushti i pestë, për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve, është i lidhur me kushtin e katërt. Po ashtu, po t’i referohemi qëndrimit të Bashkimit Europian për zgjedhjet e 8 majit dhe veçanërisht mënyrës së nxjerrjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës, edhe ky kusht rezulton i paplotësuar.
Kushti i gjashtë, për të ndërmarrë me sukses masa thelbësore për një reformë në administratën publike, është edhe ky i paplotësuar. Pushimet masive nga puna në Bashkinë e Tiranës apo 20% i famshëm i LSI-së, kanë provokuar lëvizje të rëndësishme në administratë, të pajustifikuara. Po ashtu, 10% e punonjësve në administratë punojnë me kontrata të përkohshme pune, ndërkohë që Bashkimi Europian kërkon që ky numër të mos jetë më i madh se 2.5%, të tjerët duhet të kenë kontrata të përhershme pune. Në vijim, rekomandimet nr 7, 9, 11 dhe 12 janë vështirësisht të matshëm. Ndaj për to, kërkojmë një mendim më të specializuar.
Në lëvizjen europiane të Shqipërisë, që monitoron përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin europian, Gledis Gjipali thotë se për kriterin e 7-të, miratimi i strategjisë për drejtësinë është i pamjaftueshëm. Për të përmbushur plotësisht këtë rekomandim, duhen miratuar një sërë ligjesh të reja.
“Ligje për gjykatën kushtetuese, funksionimin e saj, për konferencën gjyqësore, për KLD-në, për vetë funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, për institucionet e varësisë së tyre dhe ndonëse ekzistojnë drafte të hartuara në Ministrinë e Drejtësisë apo në bashkëpunim me misione të BE-së, ato nuk janë paraqitur kurrë”, tha Gjipali.
Sa i takon rekomandimit të 8-të, lufta kundër korrupsionit është e lidhur ngushtë me heqjen e pengesave për hetimet kundrejt gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve. Por, prekja e imunitetit, kërkon ndryshime kushtetutese. Ndonëse të dyja palët janë shprehur pro, ende nuk ka asnjë rezultat konkret.
Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, Gledis Gjipali thotë se njësoj si për luftën kundër korrupsinit, kohët e fundit nga Bashkimi Europian po vihet theksi në çështje të finalizuara me vendim gjykate.
Sipas zotit Gjipali, edhe ky kriter mund të konsiderohet i paplotësuar. Rekomandimi për miratimin e një strategjie dhe një plani kombëtar në lëmin e pronësisë, pas një konsultimi të gjerë mes palëve të interesuara, ku të jetë marrë parasysh edhe jurisprudenca e Gjykatës europiane të të drejtave të njeriut, duke përfshirë procedura të kthimit, kompensimit dhe legalizimit, është pa dyshim kriteri më i paplotësuar i 12 rekomandimeve.
Për fushat që mbulojnë dy rekomandimet e fundit, në Tiranë ka disa ekspertë të pavarur. Një prej tyre është Komiteti shqiptar i Helsinkit, i cili vetëm para pak ditësh ka përfunduar 7 monitorime që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut vitin e shkuar.
“Ne konstatojmë një rritje pozitive qoftë nga infrastruktura, qoftë nga pikpamja e performancës së stafit, por probleme ka. Jo më larg se dje, një ekip i yni ishte në një nga burgjet tanë më të mirë, por vuri re shkelje të të drejtave të 2 minorenëve në paraburgim”, tha Vjollca Mecaj.
Sipas zonjës Meçaj, në raste të tilla të dënuarit kanë vështirësi për të prezantuar ankimime, që do të ndiqeshin me një procedurë objektive.
“Ka një përpjekje pozitiviste të Avokatit të Popullit i cili ka vendosur disa kuti, celsin e të cilave e ka vetëm ai, por ndonjëherë të burgosurit nuk gjejnë letër për të shkruar ankesën e tyre”, tha Mecaj.
Zonja Meçaj thotë se një shkelje ekstreme e të Drejtave të Njeriut është dërgimi në burg i personave të cilët gjykata i ka shpallur të përgjegjshëm në momentin e kryerjes së një krimi dhe për të cilët ka urdhëruar kurimin e tyre në spitale psikiatrike. Por, për arsye të ndryshme, ata kanë përfunduar në burgje. Në rang republike janë 117 të tillë.
Përsa i takon romëve, zonja Meçaj është e prerë kur e pyet për diskriminimin pozitiv:
“Patjetër, diskriminim pozitiv për romët, dhe jo vetëm në arsim, por edhe në fusha të tjera. Dhe nga kjo pikpamje unë pres të shoh një aksion pozitiv, por për fat të keq shohim ende aksione negative”, tha Mecaj.
Pra, në përfundim, Shqipëria nuk ka përmbushur plotësisht asnjë prej 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Përmbushja e tyre kërkon impenjimin jo vetëm të politikës, por edhe të insticioneve të zbatimit të ligjit.
Top Channel