Qeveria e Kosovës është në përpjekje për t’i vënë kontaktet me përfaqësuesit e komunitetit serb në veri të Kosovës me qëllim të normalizimit të situatës edhe në këtë pjesë.

Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës Bajram Rexhepi i cili theksoi se kjo është kërkesë e ndërkombëtarëve. Në fakt përfaqësuesit e serbëve në Veri janë kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë ilegale të cilët mbrojnë barrikadat e vendosura prej muajsh.

Por ministri la të nënkuptohet se jo domosdoshmërisht do të bisedohet me kryetarët ilegalë. Këto komente ministri Rexhepi i bëri pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Bujar Nishani me të cilin nënshkroi protokollet për patrullimin e përbashkët gjatë kufirit shtetëror mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani vlerësoi se protokollet e nënshkruara janë të një rëndësie të vecantë sepse lehtësojnë maksimalisht shkëmbimin e informacioneve ndërmjet agjencive që luftojnë veprimtaritë kriminale. Zoti Nishani u ndal më shumë te rezultatet që marrëveshjet kishin arritur vitin e kaluar.

I pyetur nga Top Channel se a do të ndalojë qeveria e Kosovës mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Veri, Ministri i Brendshëm uroi që bashkësia ndërkombëtare t’i parandalojë paraprakisht në mënyrë që autoritetet kosovare të mos sfidohen në këtë drejtim.

Ministri Rexhepi përgënjeshtroi informacionet se në Veriun e vendit nuk ka prezencë doganore dhe policore të Republikës së Kosovës. Ai madje paralajmëroi se marrëveshja me KFOR-in dhe EULEX-in për dërgimin e policëve dhe doganiereve kosovarë do të vazhdojë deri në në momentin e implementimit të marrëveshjeve për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA