Viti 2012 është përcaktuar, si vit strategjik për hulumtimin dhe zbulimin e personave të zhdukur. Gjatë këtij viti pritet që të punohet në 36 lokacione ku besohet se ka të zhdukur.

Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për media nga Grupet punuese për persona të pagjetur, i cili ka zhvilluar takimin e radhës, në të cilën po diskutohet mundësia për zbardhjen e fatit të pagjeturve.

 “Në këtë drejtim kemi edhe një strategji të posaçme, po flas për Kosovën. Në vitin 2012, mendojmë se do të kemi kapaciteti t’i hapim 36 lokacione, të ashtuquajtura fushore, në të cilat besojmë se ka të zhdukur. Në këto 36 lokacione fushore, 9 prej tyre janë lokacione në të cilat gjenden skeletet e një numri të madh të serbëve dhe 29 lokacione, janë lokacione ku gjenden skeletet e trupave të shqiptarëve”, tha Pajazit Nushi, përfaqësuesi i grupit të punës për personat e pagjetur nga Kosova.

Nushi ka përshëndetur edhe interesimin e EULEX-it i cili ka kërkuar nga Serbia për zbulimin dhe kryerjen e punëve në hapjen e varrezës masive afër Rashkës ku supozohet se gjenden 250 skelete njerëzore.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Grupit të punës për persona të pagjetur nga Serbia, Veliko Odalovic, ka theksuar se shkëmbimi i punës së grupeve ka thënë edhe rezultatet e veta, ku nga 3 mijë e 300 persona sa kanë qenë të zhdukur është arritur që gjysma e tyre të zbulohen.

 “Derisa të ketë të zhdukur duhet të punojmë. Kemi pritur të bëjmë më shumë, por ajo që ka penguar është mungesa e informatave të reja, e cila ngarkon dhe zvogëlon hapësirën e kërkimeve tona. Jemi të përkushtuar që deri në fund të hulumtojmë çdo rast dhe kjo është diçka nga karakteristikat e punës sonë të përbashkët gjatë ditëve të fundit. Nuk ka temë dhe çështje të cilën nuk e kemi diskutuar dhe shqyrtuar bashkaisht”, tha Veliko Odalovic, përfaqësuesi i Grupit të punës për personat e pagjetur nga Serbia.

Rreth 1800 persona ende konsiderohen të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA