SHBA, 227 mijë vende pune në shkurt

09/03/2012 15:45

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara krijoi 227 mijë vende pune në shkurt, ndërsa kuota e papunësisë ra në 8.3 për qind, kanë treguar shifrat zyrtare.

Rritja e numrit të vendeve të punës ishte përtej parashikimeve, që ishin 210 mijë vende, ka bërë të ditur Departamenti i Punës.

Ndërkohë, kuota e papunësisë prej 8.3 për qind është ende më e ulëta në pothuajse tre vjet dhe nën nivelin maksimal të regjistruar vitin e kaluar.

Punësimi në Shtetet e Bashkuara është rritur në mënyrë solide në gjashtë muajt e fundit, njoftojnë institucionet zyrtare amerikane.

Numri i vendeve të reja të punës të krijuara kanë qenë mbi 200 mijë në tre muajt e fundit, gjë që ka ngrohur shpresat se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane është në rrugën e duhur dhe se ka pak nevojë për stimuj.

Më herët, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të tejkalojnë parashikimin e mëparshëm prej 1.8 për qind nëse ritmi i rimëkëmbjes përshpejtohet.

Punësimi në muajin shkurt u rrit kryesisht në shërbimet profesionale dhe ato të biznesit, me 82 mijë vende, gjysma e të cilave janë gjithësesi vende të përkohshme.

Gjithashtu, rritja e vendeve të punës u konstatua në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe atë të asistencës sociale, manifakturë dhe në sektorin minerar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA