Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, hodhi poshtë akuzat se bojkotoi kandidatin presidencial në Francë, Francois Hollande, gjatë një vizite që ai është duke realizuar në Poloni.
Në një sqarim përpara mjeteve të komunikimit, Tusk deklaroi se asnjë takim me Hollande nuk ishte vendosur në axhendën e tij zyrtare, në të njëjtën kohë që hodhi poshtë akuzat për krijimin e një blloku europian të qendrës së djathtë, në të cilin përfshihet ndër të tjerë edhe Merkel, për të mbështetur presidentin aktual të Francës, Nicolas Sarkozy.
Në vizitën e tij në Varshavë, kandidati socialist për të marrë drejtimin e “Elysse”, u takua me Presidentin e Polonisë, Branislaw Komorowski.
Sipas një sondazhi të kryer në nivel europian, Sarkozy është udhëheqësi më pak i preferuar, nga të pestë drejtuesit më të mëdhenj europianë. Kancerlarja Gjermane, Angela Merkel, është më e preferuara, në anketën ku u përfshi edhe Cameron i Britanisë së Madhe, Monti i Italisë dhe Rajoy, i Spanjës.
Ndërkohë, e përditshmja franceze “Le Liberation” informoi të premten se Sarkozy ka arritur të bindë aktorin e famshëm, Gerard Depardieu, për të marrë pjesë në fushatën e tij zgjedhore.
Zgjedhjet në Francë zhvillohen me dy raunde. Në të parin janë të lirë të marrin pjesë të gjithë kandidatët, partiakë ose të pavarur, ndërsa në raundin e dytë shkojnë vetëm dy kandidatët më të votuar.
Ndërsa votimet e 22 prillit dhe 6 majit po afrojnë, sondazhet kombëtare tregojnë se Sarkozy është pas në garën me Hollande, i parë momentalisht si favorit për të fituar zgjedhjet.
Top Channel