Parlamenti i Kroacisë ratifikoi të premten me shumicë votash marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja u paraqit përpara deputetëve nga kryeministri Zoran Milanoviç, i cili u shpreh se, pas 20 vitesh pavarësi ka ardhur koha që Kroacia t’i bashkohet familjes evropiane.

Marrëveshja u votua nga 136 deputetë të pranishëm, nga 151 që ka gjithësej Parlamenti kroat, pas miratimit që kishte marrë në muajin janar përmes referendumit popullor.

Në këtë proçes 66 për qind e kroatëve votuan pro anëtarësimit të vendit në Union, ndërsa një pjesë e popullsisë u shpreh kundër dhe madje mbajti edhe protesta.

Një rast i tillë ishte ai i regjistruar në qytezën e Spalatos, ku një aktiviste e organizatës “E dua Kroacinë – Jo Bashkimit Europian”, u gjobit me 102 euro pasi hoqi flamurin e BE-së nga godina e institucioneve vendore duke e zëvendësuar atë me flamurin kroat.

Marrëveshja e anëtarësimit u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel dhe Kroacia pritet të integrohet plotësisht më një korrik të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA