Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në hapjen e samitit të tretë “Women in the World” (Gratë në Botë) të organizuar nga “Newsweek” dhe “The Daily Beast”, që po mbahet në Nju Jork.

Siç informoi “Telegrafi” ditën e premte, Jahjaga pati një takim me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albrigt, me drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe ambasadoren e OKB-së, aktoren e famshme hollivudiane, Angelina Jolie.

Duke përfituar nga rasti, Presidentja e Kosovës i bëri një ftesë të hapur Jolie që të vizitojë Prishtinën dhe të ndihmojë vendin në zhvillimin e kinematografisë kosovare. Aktorja u përgjigj në mënyrë pozitive dhe deklaroi se do të marrë në konsideratë një vizitë në Kosovë në të ardhmen e afërt.

Në samit, ku po marrin pjesë afro 2000 pjesëmarrëse nga gjithë bota, do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me sfidat globale të shekullit XXI dhe rolin e gruas në çështjen e sigurisë dhe lidershipit

Jahjaga, në takimin me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, bisedoi për çështjet aktuale për Kosovën. Në hapje të konferencës, Albright duke folur në panelin “Çmimi i luftës” ndau me të pranishmit përvojën e saj të fëmijërisë si refugjate e Luftës së Dytë Botërore, duke e krahasuar atë me eksodin e refugjatëve gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.

Albright e cilësoi ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë si të drejtë, ndërkaq rikujtoi përkushtimin e administratës së ish Presidentit Clinton për t’i dhënë zgjidhjen e merituar çështjes së Kosovës.

Ndërkaq, në darkën solemne të shtruar nga organizatori i Samitit, presidentja Jahjaga u takua me drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde si dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në SHBA, Peter Westmacott.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Jahjaga, është liderja e vetme femër nga Ballkani e ftuar në këtë samit dhe në dy ditët e ardhshme do të flasë në panele për përvojat e saj në lidhje me ndikimin e gruas në sigurinë e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA